Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar disa kryetarë bashkish, kryesisht nga juglindja e vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me drejtues vendorë, ku në fokus ishte infrastruktura dhe rritja e standardeve të shërbimeve në territor.
Rama u ndal te mungesa e disa kryebashkiakëve në zonat që drejtojnë, duke thënë se ata qëndrojnë shpesh në Tiranë edhe gjatë ditëve të punës, në vend që të jenë pranë komuniteteve lokale.
Sipas kryeministrit, ky problem i është përcjellë në mënyrë të përsëritur nga qytetarë, sidomos në bashkitë e aksit Tiranë–Korçë, dhe duhet të marrë fund menjëherë. Ai paralajmëroi se nëse situata vijon, herën tjetër do të bëjë publike edhe emrat e drejtuesve që nuk përmbushin detyrën.
“Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive. Nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund… herën tjetër do t’i përmend me emër dhe publikisht”, tha Rama.
Ai shtoi se shqetësimi vjen nga qytetarët dhe se nuk i referohet të gjithë kryetarëve të bashkive, por vetëm disa prej tyre.
“Besoj që kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim, i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë. Se nuk flas për ata të ish Partisë Demokratike, se ata mund të rrinë gjithë kohës në shtëpi, se si janë, si s’janë ata prapë janë. Flas për të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Nuk e kam këtu për Sotiraqin, nuk e kam as për ministrin.
Për ta mbyllur me një buzëqeshje, dhe uroj që të jetë një buzëqeshje e ëmbël dhe mos kthehet në një buzëqeshje të hidhur”, tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu se kryebashkiakët duhet të jenë më të pranishëm në territor, sidomos gjatë sezonit të verës, kur nevojat për shërbime publike rriten ndjeshëm, duke përfshirë infrastrukturën, sigurinë dhe shërbimet bazë për qytetarët.
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti të fokusuar në përmirësimin e administrimit lokal dhe rritjen e standardeve në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian./ad
