Virusi Ebola ka shkaktuar deri tani 304 viktima, ndërsa në Republikën Demokratike të Kongos autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar gjithsej 1 mijë e 155 raste të infeksionit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 37 raste të reja dhe 5 humbje jete.
Autoritetet theksojnë se forcimi i mbikëqyrjes epidemiologjike ka mundësuar identifikim më të hershëm të rasteve, duke konfirmuar një rritje të vazhdueshme javore të transmetimit të virusit.
Epidemia aktuale, e shpallur më 15 maj, lidhet me llojin Budibugio të virusit Ebola, një variant i rrallë për të cilin nuk ekziston trajtim apo vaksinë specifike.
Ndryshe nga ky variant, shumica e shpërthimeve të mëparshme janë shkaktuar nga lloji Zaire, për të cilin tashmë ka vaksinë.
Kjo është epidemia e 17-të e regjistruar në këtë vend të madh të Afrikës Qendrore, me rreth 100 milionë banorë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, dyshohet se virusi ka qarkulluar për një periudhë kohe pa u zbuluar, përpara se të deklarohej zyrtarisht shpërthimi.
Në nivel global, Ebola ka shkaktuar të paktën 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së sëmundjes varion nga 25% deri në 90%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në Republikën Demokratike të Kongos, shpërthimi më vdekjeprurës më parë ka shkaktuar rreth 2 mijë e 300 viktima nga gjithsej 3 mijë e 500 raste të regjistruara mes viteve 2018 dhe 2020./mxh
