Dhëmbët e zinj mund të duken të pazakontë sipas standardeve të sotme të bukurisë, por për shekuj me radhë ata kanë qenë simbol elegance, statusi dhe pjekurie në disa kultura të Azisë, Afrikës, Amerikës dhe Oqeanisë. Në Vietnam, në veçanti, një buzëqeshje me dhëmbë të zinj dhe me shkëlqim konsiderohej ideale bukurie dhe, në disa komunitete, kjo traditë vazhdon të ruhet edhe sot.
Sipas studiuesve, kjo praktikë mund të jetë shumë më e vjetër nga sa mendohej. Gërmimet arkeologjike të kryera nga Australian National University në varrezat e Dong Xa, në Vietnamin Verior, analizuan smaltin e dhëmbëve të tre individëve që jetuan mes 2.200 dhe 400 vjet më parë. Analizat zbuluan përqendrime të larta të oksidit të hekurit, duke treguar se dhëmbët ishin trajtuar në mënyrë të përsëritur me një substancë të veçantë.
Sipas studiuesve, ngjyra karakteristike e zezë arrihej duke aplikuar mbi dhëmbë një pastë të përgatitur me minerale të pasura me hekur, squfur dhe ekstrakte bimore të pasura me taninë, si lëkura e shegës. Përzierja nxehej derisa merrte ngjyrë të zezë dhe më pas vendosej disa herë mbi dhëmbë për javë të tëra. Në fund, sipërfaqja lustrohej me hi ose katran për t’u dhënë dhëmbëve një shkëlqim të veçantë.
Ndryshe nga sa është menduar për një kohë të gjatë, studiuesit e konsiderojnë pak të mundshme që kjo ngjyrë të vinte nga përtypja e arrave të betelit, fara me efekt psikoaktiv që përdoren prej shekujsh në disa vende aziatike. Edhe pse beteli njollos dhëmbët, ai zakonisht u jep atyre një ngjyrë kafe ose të kuqërremtë, dhe jo të zezën e thellë e me shkëlqim që kërkohej në këtë traditë.
Përveç aspektit estetik, lyerja e dhëmbëve besohet se kishte edhe funksion mbrojtës. Shtresa e krijuar mbi smalt mund të ndihmonte në mbrojtjen e dhëmbëve nga konsumimi dhe prishja, ndërsa në shumë kultura shërbente edhe si shenjë e kalimit në moshën e rritur, e martesës ose e përkatësisë ndaj një grupi të caktuar shoqëror.
Edhe pse sot kjo praktikë është bërë e rrallë, ajo mbetet një dëshmi e mënyrës se si idealet e bukurisë ndryshojnë nga një kulturë në tjetrën dhe se traditat e lashta vazhdojnë të jetojnë në disa komunitete edhe në ditët tona./ad
