Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sot, atë që i cilësoi si “sulme të tmerrshme” ruse, pasi raketat dhe dronët e Moskës vranë të paktën tetë civilë dhe plagosën 35 të tjerë, në disa rajone të Ukrainës, raportoi AP.
Sipas Zelensky, një raketë ruse goditi infrastrukturën në qytetin qendror të Dnipros, duke shkaktuar pesë të vrarë dhe 29 të plagosur.
Ndërkohë, dronët rusë goditën një minibus pasagjerësh në Zaporizhia, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë, përfshirë një fëmijë.
Policia ukrainase raportoi gjithashtu se, dy persona të moshuar u vranë nga sulmet me dronë, në rajonin verilindor të Sumy Oblast, ndërsa autoritetet njoftuan për sulme vdekjeprurëse edhe, në të paktën gjashtë rajone të tjera të vendit.
Sulmet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në tetë rajone të Ukrainës, në një kohë kur temperaturat e larta, kanë rritur ndjeshëm konsumin.
Zelensky u bëri thirrje vendeve evropiane, të përshpejtojnë zhvillimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore kundër raketave balistike, duke theksuar se Ukraina ka nevojë urgjente për mbrojtje më të fortë.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin pranoi se sulmet me dronë ukrainas ndaj objekteve të naftës, në Rusi, kanë shkaktuar mungesë të karburantit, por deklaroi se këto goditje nuk do ta detyrojnë Moskën të bëjë lëshime dhe se Rusia do ta fitojë luftën.
Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se qëndrimi i Rusisë, mbetet i pandryshuar dhe se ofensiva ruse në vijën e frontit po vazhdon.
Nga ana tjetër, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) vlerësoi se avancimi ushtarak i Rusisë gjatë vitit 2026 është ngadalësuar dhe se aftësia e saj, për të arritur objektivat në fushëbetejë, mbetet në pikëpyetje.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, mbrojtja ajrore rrëzoi 209 dronë ukrainas nga mbrëmja e djeshme deri sot në mëngjes, ndërsa Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se kishin neutralizuar 82 nga 108 dronët e lëshuar nga Rusia, gjatë natës./mxh
