Autoritetet në Monako kanë përjashtuar, për momentin, pistën e terrorizmit lidhur me shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e së hënës dhe la të plagosur tre persona.
Prokurori i Monakos, Stephane Thibault, deklaroi se bazuar në provat e deritanishme, ngjarja nuk mund të cilësohet si një sulm terrorist.
Sipas tij, hetimet janë hapur për veprat penale të tentativës për vrasje dhe vendosjes së një lënde ose pajisjeje shpërthyese në një hapësirë publike.
Megjithatë, ai theksoi se autoritetet mbeten në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë Kombëtare Franceze për Antiterrorizmin, e cila ka ofruar mbështetjen e saj nëse hetimet do të kërkojnë një qasje të tillë.
Policia është në kërkim të autorit të dyshuar, i cili besohet se ka vepruar i vetëm. Deri tani ai nuk është identifikuar dhe as arrestuar.
Prokurori Thibault bëri të ditur se operacioni për kapjen e tij po zhvillohet në koordinim me autoritetet franceze dhe shprehu besimin se arrestimi mund të realizohet në një kohë të shkurtër.
Shpërthimi ndodhi në mbrëmjen e 29 qershorit, kur një person aktivizoi një mjet shpërthyes artizanal në Principatën e Monakos, duke plagosur tre persona. Ngjarja shkaktoi alarm në shtetin e njohur për masat e larta të sigurisë, kazinotë dhe jetën luksoze të banorëve të tij./mxh
