Last Updated on 01/07/2026 by Anisa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar tensionet e një dite më parë para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Gjatë një konference për mediat, ku foli për vizitën në Austri dhe raportin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) për Shqipërinë, Berisha u ndal edhe te reagimi i forcave të rendit gjatë protestës.
Ai deklaroi se sjellja e policisë ishte e papranueshme dhe e krahasoi situatën me ngjarje të mëparshme.
“Sjelljen e policisë e kam dënuar që dje nga Vjena dhe e kam quajtur egërsi shtazore. Kam parë protestues, të cilët nuk po kryenin asnjë akt dhune, përkundrazi, po mbanin një qëllim edhe dashamirës ndaj policëve, duke i ofruar ujë në atë vapë të tmerrshme”, tha Berisha.
Sipas tij, ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve ishte e tepruar.
“Vërsulja me tërbim ndaj tyre, ajo skena me djalin me bluzë të zezë të kujtonte skenën e Zvërnecit. Ai nuk kishte bërë asgjë, u lirua më pas. E kam dënuar dje dhe vazhdoj ta dënoj me forcën më të madhe”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha foli gjithashtu për raportin e miratuar nga PPE për Shqipërinë, duke e cilësuar atë një pasqyrë të situatës politike në vend.
Sipas tij, raporti trajton çështje si funksionimi i institucioneve, zgjedhjet, korrupsioni dhe marrëdhënia mes shtetit dhe partive politike./ad
