Last Updated on 02/07/2026 by Anisa
Shpallen sot startup-et fituese që do të mbështeten përmes Grant 2026, me një fond të dyfishuar prej 6 milionë eurosh për sipërmarrjen inovative. Një moment i rëndësishëm që pasqyron zhvillimin e ekosistemit shqiptar të startup-eve dhe vizionin për ta ndërtuar inovacionin nga Shqipëria.
Gjatë ceremonisë kryeministri Rama mbajti fjalën e tij, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare të këtyre ndërmarrjeve dhe synimit për të ardhmen. Nuk mungoi as një deklaratë e lidhur me protestën dhe zhvillimet në rrjetet sociale, ku pak orë më parë pati tension para Kuvendit, ku pritej të zhvillohet seanca plenare.
“Jemi këtu pas një shtyrjeje të shpalljes së fituesve si rezultati i faktit që patëm një numër shumë të lartë aplikimesh dhe nga ana tjetër nuk u ndjemë mirë që me shumën e vënë në dispozicion, 3 milionë euro, nuk ia dilnim dot të përgjigjeshim me mbështetjen e duhur për të gjithë ata që sipas komisionit të vlerësimit meritonin mbështetjen.
Prandaj e shtymë për të reflektuar një ndryshim, që fatmirësisht është edhe për shkak të mundësive, pasi ekonomia është rritur, po ashtu edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Kjo na bëri të angazhojmë edhe një fond tjetër për ata që meritonin një shans dhe e bëmë nga 3 në 6 milionë euro. Jemi këtu me një optimizëm të justifikuar, sepse në një vlerësim të kohëve të fundit, sistemi ynë i startup-eve është vlerësuar i katërti për rritjen më të shpejtë në rangun europian.
Patjetër kjo është relative, sepse e kemi nisur në një bazë të ulët kur e morëm këtë rrugëtim në vitin 2022 me një shifër prej vetëm 2 milionë euro dhe mësuam bashkë sesi ta çojmë përpara ngritjen e këtij ekosistemi. Jemi në 6 milionë dhe ambicia jonë është që deri në 2030-ën të shkojmë 20 milionë euro për mbështetjen e startup-eve. Do të varet nga cilësia e aplikimeve dhe jo vetëm, por qeveria duhet të jetë gati për të financiar deri në një volum prej 20 milionë eurosh.
Ne kemi bërë një hap, i hedhur për herë të parë në Shqipëri, duke marrë pjesë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit, por besojmë shumë se të njëjtën gjë do të duhet të bëjmë edhe për startup-et tona në zhvillim e sipër. Ne mund ta bëjmë këtë duke nisur me krijimin e fondeve të posaçme që i kemi parashikuar në legjislacion dhe mund të krijohen me bashkëpunimin mes qeverisë dhe burimeve të tjera financiare.
Do ta nisim këtë proces dhe besoj se vitin e ardhshëm do të kemi në dispozicion edhe fondet e tjera për ata që kanë kaluar me sukses fazën embrionale dhe kanë nevojë për ta çuar më tej projektin. Më thanë se djali që doli në video në fillim ka nisur nga ky projekt dhe sot ka 50 mijë klientë në SHBA, me një objektiv për të shkuar në gjysmë milioni klientë. Nisi si ide, u zhvillua në një bërthamë startup dhe sot është një sipërmarrje e suksesshme.
Ne sot kemi dyfishin e fituesve të vitit të shkuar. Kemi aplikime nga i gjithë territori, pjesa më e madhe në Tiranë, më pas vijnë Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça. Unë jam shumë i kënaqur për rritjen e ndjeshme të numrit të vajzave dhe grave dhe është shumë domethënëse që edhe në këtë fushë ato po bëhen forcë dominante. Kemi edhe aplikonte nga diaspora dhe janë 15 startup-e. 38 mentorë, shumica janë shqiptarë, profesionistë të diasporës.
Ajo që vlen të përmendet është se sot që flasim 42 produkte të këtij programi janë lancuar në treg dhe funksionojnë si sipërmarrje dhe kanë perspektivë. Kam edhe një fjalë për një fenomen të shëmtuar të kohëve të fundit, që ka prekur edhe djem e vajza që kanë përfituar nga startup-i dhe janë bërë pre e një bullizimi me gjithfarë sharjesh, fyerjesh nga njerëz që janë të padenjë për vëmendjen tuaj.
Një këshillë është të mos zbrisni te komentet, sepse janë jopërfaqësuese për çfarë bën, si e bën dhe kush je. Jo vetëm në këtë kohë, që është ngarkuar se algoritmi ka kaluar në fazë histerie, por në çdo kohë. Unë dikur i përgjigjesha komentuesve intensivisht, me idenë se meritojnë respekt, por e kuptova se ishte gabim, dhe në vend që të merrja respekt se impenjohesha për t’i dhënë përgjigje, vetëm rrisja sasinë e baltës që më kthehej mbrapsht. Që atëherë nuk zbres më te komentet dhe baltën që është atje”, u shpreh Rama./ad
