Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth zgjedhjeve për Kryesinë e PD-së, duke lëshuar akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, funksionon partia dhe përzgjedhja e drejtuesve.
Në një reagim publik, Spaho thekson se nuk e ka shkrimin për një politikane të caktuar, edhe pse pranon se ajo është e zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve për Kryesinë e PD-së. Sipas tij, pakënaqësitë do të shtohen edhe më shumë kur të zgjidhen nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe drejtuesit e sekretariateve.
Spaho kritikon një grup figurash brenda Partisë Demokratike, të cilët, sipas tij, zgjodhën të mbështesnin pa rezerva qëndrimet e Sali Berishës, duke besuar se kjo do t’u siguronte një vend në Kryesinë e partisë.
“Shumica dështuan dhe dolën të zhgënjyer nga rezultati. Disa menduan se duke më sulmuar mua publikisht do të rrisnin shanset për t’u zgjedhur, por ndodhi e kundërta”, shkruan ai.
Sipas Spahos, problemi kryesor në PD mbetet mungesa e demokracisë së brendshme dhe e sistemit të meritës.
“Në PD nuk ka demokraci, nuk ka sistem merite. Ka grupe dhe tarafe, ndërsa fijet i luan të gjitha Komandanti”, shprehet ai.
Ish-deputeti shton se disa prej kandidatëve që arritën të futen në Kryesi nuk u zgjodhën për kontributet e tyre politike, por sepse janë figura pak të njohura, të manipulueshme dhe të dobishme për të krijuar perceptimin e një reformimi të partisë.
Ai pretendon se kjo është një praktikë që përsëritet në çdo proces zgjedhor brenda PD-së.
Në fund të reagimit, Spaho u drejtohet kritikëve të tij dhe atyre që mbetën jashtë strukturave drejtuese, duke thënë se nuk kanë kujt t’i ankohen dhe se vazhdojnë të përsërisin të njëjtat gabime.
“Kur ta hedhin herën e parë, fajin e ka ai që ta hedh. Kur ta hedhin për herë të dytë, fajin e ke ti që pranon të ta hedhin sërish. Disa prej jush kanë një jetë që ju mashtrojnë dhe përsëri nënshtroheni, pa ngritur zërin, edhe kur jeni të humbur”, përfundon Spaho./ad
