Një video e shkurtër, e publikuar në YouTube plot nëntë vite më parë, është kthyer në çelësin e një zbulimi të rëndësishëm shkencor. Pamjet 18-sekondëshe kanë konfirmuar për herë të parë praninë e maces së rërës në Libi, një nga felinët më të rrallë dhe më të vështirë për t’u vëzhguar në natyrë.
Autori i videos është fotografi i natyrës Mohammed Saad Muntser, i cili e publikoi regjistrimin në vitin 2017. Në atë kohë, pretendimi i tij se kishte filmuar macen e rërës në territorin libian u prit me skepticizëm, pasi besohej se kjo specie nuk jetonte në atë zonë. Macja e rërës është e njohur për aftësinë e jashtëzakonshme të kamuflimit. Gëzofi i saj me ngjyrën e rërës e bën pothuajse të padukshme në shkretëtirë, ndaj çdo vëzhgim i saj konsiderohet tepër i rrallë.
Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Journal of Arid Environments, ishte pikërisht videoja e Muntser që tërhoqi vëmendjen e një ekipi studiuesish nga Sol Plaatje University në Afrikën e Jugut. Pas analizave dhe ekspeditave në terren, ata arritën të konfirmonin shkencërisht se macja e rërës është pjesë e faunës së Libisë. Gjatë kërkimeve, shkencëtarët dokumentuan 13 raste të pranisë së këtij felini në të njëjtën zonë, duke e identifikuar atë si një nga habitatet më të rëndësishme të njohura deri më tani për këtë specie në vend. Ekspedita solli edhe një zbulim tjetër me rëndësi. Studiuesit identifikuan disa individë të zorillës së Libisë (Poecilictis lybica) në tetë zona të ndryshme, ndërsa shtatë prej tyre ndodhen jashtë arealit të njohur zyrtarisht nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Kërkimet nuk kanë qenë të lehta. Përveç kushteve të vështira të shkretëtirës, ekipi është përballur edhe me rrezikun që paraqesin grupet e kontrabandistëve që veprojnë në zonë. Për këtë arsye, studiuesit bashkëpunuan ngushtë me Muntser dhe komunitetet vendase Tuareg, duke ngritur një sistem monitorimi që kombinonte pajisjet GPS me fotografimin në terren. Megjithatë, studimi zbulon edhe një anë shqetësuese. Si macja e rërës, ashtu edhe zorilla e Libisë tregtohen në tregjet lokale. Macja e rërës shitet si kafshë shtëpiake ekzotike, ndërsa zorilla kërkohet për përdorim në mjekësinë tradicionale. Duke qenë se dihet ende shumë pak për shpërndarjen dhe popullatat e këtyre dy specieve në Libi, autorët e studimit bëjnë thirrje për masa urgjente mbrojtëse dhe programe të posaçme monitorimi, për të garantuar ruajtjen e tyre në habitatin natyror./FC
