Një nga incidentet më të rënda në historinë e burgjeve të Sri Lankës ka tronditur vendin, pasi të paktën 26 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur gjatë përleshjeve të dhunshme në burgun e Negombos, rreth 35 kilometra në veri të kryeqytetit Colombo.
Ngjarja, e cila nisi të dielën dhe u përshkallëzua gjatë së hënës, konsiderohet si revolta më e rëndë në burgjet e vendit në vitet e fundit.
Sipas autoriteteve, përplasjet filluan fillimisht mes të burgosurve që vuajnë dënime afatgjata dhe personave të ndaluar përkohësisht. Ditën e diel u raportuan dy viktimat e para, ndërsa situata u përkeqësua ndjeshëm të hënën, kur shpërtheu një valë e re dhune që la të vrarë edhe gjashtë punonjës të shërbimit të burgjeve. Numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 26, ndërsa dhjetëra të plagosur u transportuan me urgjencë drejt spitaleve.
TË LIDHURA
Arratiset bosi i drogës, vriten dy oficerë policie në Francë
Gjendje e jashtëzakonshme në Ekuador: Vriten 5 policë, disa të tjerë merren peng
Vriten dy policë në Francë, arratiset i burgosuri që po transportonin me furgon
Zëdhënësi i Departamentit të Burgjeve, Chamika Gajanayake, deklaroi se përleshja shpërtheu në momentin kur të burgosurve po u shërbehej mëngjesi. Ai bëri të ditur se incidenti dyshohet të jetë i lidhur me aktivitetet e trafikut të drogës brenda burgut, megjithatë nuk dha detaje të tjera, duke theksuar se është hapur një hetim zyrtar për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan një prani të madhe të forcave të policisë jashtë burgut, ndërsa autobusë transportonin të plagosurit drejt qendrave shëndetësore. Disa prej tyre shiheshin të shtrirë në dyshemenë e mjeteve të transportit, duke marrë ndihmën e parë gjatë rrugës.
Drejtoresha e spitalit të Negombos, Pushpa Gamlath, konfirmoi se institucioni kishte pranuar 23 trupa të pajetë, ndërsa mbi 100 të plagosur, mes tyre të burgosur dhe gardianë, morën trajtim mjekësor. Ajo sqaroi se shumë prej tyre kishin plagë nga armët e zjarrit, prerje të rënda dhe mavijosje serioze, ndërsa 18 pacientë në gjendje kritike u transferuan në Spitalin Kombëtar të Colombo-s për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, tensioni u përhap edhe në burgun ngjitur për gratë, ku një grup të burgosurash u ngjitën mbi çatinë e objektit dhe kërkuan lirimin e tyre, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e trazirave. Për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, Forcat Ajrore të Sri Lankës angazhuan një helikopter dhe disa dronë që patrulluan zonën e burgut.
Zëdhënësi i ushtrisë Uaruna Gamage, deklaroi se ushtria ishte vendosur në gatishmëri pas kërkesës së policisë për mbështetje, por sqaroi se në atë moment forcat ushtarake nuk kishin ndërhyrë drejtpërdrejt në operacion.
Ministri i Drejtësisë, Harshana Nanayakkara, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ai theksoi se, pavarësisht nëse viktimat ishin të burgosur apo persona të lidhur me botën e krimit, shteti ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe jetën e çdo personi që ndodhet në institucionet korrektuese.
Qeveria e Sri Lankës ka njoftuar ngritjen e një komisioni hetimor prej tre anëtarësh, të kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Supreme. Ky komision do të hetojë shkaqet e revoltës, përgjegjësitë institucionale dhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e hetimit pas përfundimit të mbledhjes së provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve./mxh
