Last Updated on 07/07/2026 by Kesjana
Nga Mentor Kikia
Shkruajta në lidhje me rastin e dhunës, ku dy vajza rrihnin një shoqen e tyre pse i kishte puthur të dashurin e njërës prej tyre, dhe një e tretë filmonte skenën.
Videoja që u hodh dje në rrjet ishte shokuese!
Nuk dua ta përgjithësoj problemin, por ai është kaq i madh e i rëndë sa nuk duhet heshtur.
Lexova thuajse të gjithë komentet në shkrimin tim. Por më mbetën në mendje ato të dy mësuesve:
-“Mjedisi i adoleshentëve është i mbushur me akte dhune. Por publiku mëson dhe reagon vetëm kur shikon video të tilla apo kur dhuna prodhon viktima”.
-“Kjo shoqëri pasi u tall me mësuesit, profesionistët e të gjitha fushave, mori modele të gabuara, e ja tek është. Faji i keqarsimimit, politikave për rininë, shoqërisë së paemancipuar, injorancës etj.”
Ky nuk është rasti i vetëm. Madje janë aq të shumta sa do të alarmonin mendjet e mençura të çdo shoqërie.
Ku mund ta kërkojmë përgjegjësinë dhe ndryshimin e rrjedhës?
Unë mendoj:
Së pari, tek familja:
Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, veshje dhe celularin e fundit. Vajzat e videos, shfaqeshin në një foto në rrjetet sociale me buzët e fryra dhe njëra me tatuazh një “Kallshnikov”. Të mos harrojmë, janë vetëm 14-15 vjeçe. Djali vret apo dhunon bashkëmoshatarin dhe familja përpiqet të gjejë “mekanizma” të lehtësojë akuzën.
Kontrolloni fëmijët se do i bëni kriminelë me duart tuaja!
Së dyti, shkolla:
Dimensioni edukativ i shkollës është zhbërë. Këta soj nxënësish, adoleshente me buzë të fryra e djem më kaçavida ne çantë, janë tmerr edhe për mësuesin. “Mezi po pres të dal në pension – ma tha një mësues në një shkollë të Tiranës – ka përfunduar puna vetëm të mbaj qetësi në klasë që të mos zihen se bëjnë video. Janë bërë nxënësit, të hanë”.
Shkolla vrapoi pas të drejtave të fëmijëve dhe harroi detyrimet.
Bashkëpunimi i prindërve me shkollën është ngushtuar vetëm në një fjali: Nuk ka burrë nëne të ma prekë me dorë fëmijën. Ndërkohë që edhe ngritja e zërit konsiderohet dhunë psikologjike.
Së treti, qeveria:
Do të thoni, ç’punë ka qeveria se zihen e grinden adoleshentët.
Po, ka!
Detyra e qeverisë, nuk është të bëjë vetëm rrugë, shkolla e pallate. Një qeverisje e mirë, mendon edhe për dimensionin social të shoqërisë.
Duhet investuar për të mundësuar edukimin e fëmijëve. Qendra argërtimi, në çdo lagje, ku fëmijët të angazhohen në kohën jashtë shkolle, të ushtrojnë sporte, të ushtrojnë talentet dhe aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Mjedise publike, parqe, etj.
Duhet të bien këmbanat e alarmit për brezat që po rrisim. Nuk bëhet fjalë për nivel akademik, por shumë prej tyre po rriten të rrezikshëm.
E imagjinon dot: Tri vajza të mitura marrin peng shoqen dhe e dhunojnë para kameras pse i ka puthur të dashurin. Nuk mjafton dhuna, por do ta diskreditojnë edhe publikisht.
Zot mbaj dorën!/kb
