Last Updated on 07/07/2026 by Monika
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se si presidenti rus Vladimir Putin, ashtu edhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Dua të besoj se të dy duan të arrijnë një marrëveshje. Është për të ardhur keq që kjo ka zgjatur kaq shumë, por mendoj se do të ketë një rezultat”, tha Trump para gazetarëve pas mbërritjes në Ankara.
Deklarata u bë në ditën e parë të samitit të NATO-s, ku lufta në Ukrainë dhe siguria evropiane janë ndër temat kryesore të diskutimit.
Presidenti Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi mundësinë e negociatave, por shprehu optimizëm se përpjekjet diplomatike mund të çojnë në një marrëveshje mes palëve.
Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan priti sot homologun e tij amerikan, Donald Trump në Ankara, në kuadër të samitit dyditor të NATO-s.
Erdogan e përshëndeti personalisht Trumpin pas mbërritjes së tij në aeroportin ”Esenboga”.
Më vonë në kompleksin presidencial do të mbahet një ceremoni zyrtare e mirëseardhjes, pas së cilës do të zhvillohen bisedime dypalëshe dhe takime në nivel delegacioni për çështje rajonale dhe ndërkombëtare./Mxh
