Nëndetësja bërthamore sovjetike Komsomolets, e cila u fundos në Detin Norvegjez në vitin 1989, vijon të përbëjë një shqetësim për ekspertët e sigurisë bërthamore dhe mbrojtjes së mjedisit, për shkak të degradimit të reaktorit dhe rrezikut të rrjedhjeve radioaktive.
“Komsomolets” u fundos më 7 prill 1989, pasi një zjarr shpërtheu në bord. Nga 69 anëtarë të ekuipazhit, 42 humbën jetën, ndërsa nëndetësja u zhyt në një thellësi prej rreth 1,700 metrash pranë brigjeve të Norvegjisë.
Në bord ndodhen një reaktor bërthamor dhe dy silurë me koka bërthamore, të cilët prej vitesh kanë ngritur shqetësime për ndotje të mundshme radioaktive. Pas aksidentit, u zhvilluan debate mes shkencëtarëve për nivelin e rrezikut, ndërsa në vitet 1995-1996 u ndërmor një operacion për izolimin e çarjeve në trupin e nëndetëses dhe mbylljen e tubave të silurëve, me qëllim kufizimin e rrjedhjeve.
Sipas një raporti të publikuar në mars 2026 nga Autoriteti Norvegjez i Rrezatimit dhe Sigurisë Bërthamore (DSA), reaktori i nëndetëses po degradohet dhe lëshon herë pas here sasi të vogla materiali radioaktiv në det. Megjithatë, autoritetet norvegjeze theksojnë se nivelet e regjistruara deri tani nuk kanë pasur ndikim të rëndësishëm në mjedisin detar.
Ekspertët paralajmërojnë se korrozioni i vazhdueshëm mund të rrisë rrezikun në të ardhmen. Sipas Hans Kristensen, drejtor i Projektit të Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, nevojiten inspektime të reja për të vlerësuar gjendjen aktuale të rrënojave, pasi plutoniumi në kokat bërthamore mbetet një rrezik potencial për mijëra vjet.
Autoritetet norvegjeze pranojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar procesin e korrozionit dhe ndikimin e mundshëm të tij. Megjithatë, thellësia prej afro 1,700 metrash ku ndodhet nëndetësja e bën jashtëzakonisht të vështirë çdo operacion të ri për izolimin ose nxjerrjen e saj.
Edhe pas më shumë se tre dekadash, “Komsomolets” mbetet një nga rrënojat bërthamore më të monitoruara në botë dhe një kujtesë e rreziqeve afatgjata që mund të sjellin aksidentet me teknologjinë bërthamore./ kb
