Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, po përgatitet për një aventurë të re, sërish në elitën e futbollit italian.
Pas mbylljes së kontratës me skuadrën e Lacios, 32-vjeçari ka dalë si lojtar i lirë në tregun e transferimeve. Sipas raportimeve të fundit nga mediat sportive italiane, klubi i Lecces ka intensifikuar bisedimet me menaxherin e futbollistit kuqezi, duke synuar të sigurojë shërbimet e tij për përforcimin e repartit mbrojtës për sezonin e ri.
Negociatat mes përfaqësuesve të Hysajt dhe drejtuesve të klubit nga Puglia po zhvillohen me ritme pozitive, ku palët po diskutojnë detajet e fundit të kontratës. Drejtuesit e Lecces synojnë që marrëveshja të zyrtarizohet brenda pak ditësh, në mënyrë që lojtari t’i bashkohet sa më shpejt skuadrës në fazën përgatitore.
Përvoja e gjatë e Hysajt në Serinë A vlerësohet si një faktor i rëndësishëm për të rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë në prapavijën e ekipit italian.
Karriera e Hysajt është zhvilluar tërësisht në futbollin italian. Pasi u rrit në akademinë e Empolit, ai u transferua te Napoli në vitin 2015, ku luajti për gjashtë sezone, përpara se të kalonte te Lacio në vitin 2021.
Përgjatë pesë viteve me klubin kryeqytetas, mbrojtësi zhvilloi 131 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Megjithatë, edicioni i fundit u karakterizua nga hapësira të kufizuara, ku lojtari u aktivizua në vetëm pesë ndeshje të kampionatit.
Nëse ky transferim finalizohet me sukses, Hysaj do të ketë mundësinë të luajë në një skuadër me një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare, mesfushorin Medon Berisha.
Kjo lëvizje do t’i mundësonte mbrojtësit anësor të ruajë ritmin e ndeshjeve në një nga kampionatet më të rëndësishme europiane./mxh
