Një hetim i publikuar nga The Washington Post ka ngritur pikëpyetje mbi një konflikt të mundshëm interesi, duke zbuluar se Donald Trump Jr. dhe Eric Trump kanë rritur ndjeshëm investimet e tyre në kompanitë e industrisë së mbrojtjes, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po zgjeron buxhetin ushtarak të SHBA-ve.
Sipas raportit, dy djemtë e presidentit kanë investuar përmes fondeve të tyre në më shumë se 12 kompani që operojnë në fushën e teknologjisë ushtarake. Shumë prej tyre kanë përfituar kontrata federale me vlerë miliarda dollarë ose janë në garë për projekte të reja të Pentagonit.
Hetimi thekson se shumica e investimeve janë kryer pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Donald Trump Jr. është i lidhur me fondin “1789 Capital”, ndërsa Eric Trump investon përmes “American Ventures”, një kompani e lidhur me “Dominari Holdings”.
Në portofolin e tyre të investimeve përfshihen emra të njohur si SpaceX dhe Anduril Industries, kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme me Departamentin amerikan të Mbrojtjes.
Sipas të dhënave të publikuara, kompanitë ku kanë investuar djemtë e Trump kanë marrë të paktën 3.2 miliardë dollarë kontrata federale, ndërsa mund të konkurrojnë për projekte të ardhshme me një vlerë potenciale deri në 200 miliardë dollarë.
Raporti ka nxitur debat mbi mundësinë e një konflikti interesi, por Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo favorizim, duke deklaruar se kontratat jepen mbi bazën e meritës dhe se presidenti nuk ndërhyn në aktivitetet financiare të djemve të tij. Edhe përfaqësuesit e Donald Trump Jr. dhe Eric Trump kanë hedhur poshtë akuzat, duke këmbëngulur se investimet e tyre janë bërë në përputhje me rregullat e tregut./mxh
