Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
Partia Demokratike vijon procesin e riorganizimit të brendshëm, ndërsa sot pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i kësaj force politike. Takimi pritet të sjellë vendime për përbërjen e re drejtuese të partisë.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të votojnë për disa nga postet kryesore, mes tyre Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, strukturën e Sekretariatit dhe Komisionin e Apelimit.
Kjo mbledhje është pjesë e fazës së konsolidimit të strukturave të PD-së pas vendimeve të marra më 1 korrik, kur u zgjodhën drejtuesit e Këshillit Kombëtar dhe anëtarët e rinj të Kryesisë së partisë.
Përmes këtyre ndryshimeve, demokratët synojnë të krijojnë një ekip të plotë drejtues që do të menaxhojë aktivitetin politik të opozitës dhe përgatitjet për betejat e ardhshme elektorale.
Vendimet e sotme pritet të përcaktojnë përbërjen e ekipit që do të shoqërojë kryetarin e PD-së, Sali Berisha, në drejtimin e partisë./ kb
