Last Updated on 15/07/2026 by Anisa
Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime të rëndësishme në tre ligje të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, konkretisht në “Për shërbimet e pagesave”, në ligjin “Për sistemin e pagesave”, si edhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas deklaratës së ministrit të Financave, Petrit Malaj, të treja projektligjet e propozuara për miratim në Kuvend i shërbejnë, jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian.
Malaj tha se këto ndryshime sjellin përfitime konkrete edhe për qytetarët dhe biznesin, përmes
reduktimit të kostove të shërbimeve financiare, rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar; forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve dhe nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg. Ai theksoi se kjo paketë projektligjesh do të shërbejë, si për zhvillimin e tregut financiar, ashtu edhe për transformimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Ndryshimi në ligjin “Për bankat” lidhet me një saktësim të përkufizimit të parasë elektronike.
Ndryshimet në ligjin “Për sistemin e pagesave” gjithashtu lidhet kryesisht me saktësimin e listës së institucioneve që përfshihen në përkufizimin e institucioneve financiare.
Ndërsa ndryshimet në ligjin “Për shërbimet e pagesave janë të lidhura kryesisht me përafrimin e legjislacionit me kuadrin e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve do të hyjnë në fuqi në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian./ad
