Simon Nixon
Teksa je ulur në Bruksel, ose në një nga 27 kryeqytetet e Bashkimit Europian, mund të të falet nëse nuk i kushton vëmendje dramave të fundit politike brenda Partisë Konservatore britanike. Në fund të fundit, Britania ka një kryeministër të ri laburist, proeuropian, i cili dëshiron të ndërtojë mbi “rinisjen” e marrëdhënieve me BE-në që nisi Keir Starmer. Kujt i intereson se çfarë mendon një parti në opozitë, kur ajo ende po përpiqet të marrë veten nga humbja dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2024 dhe renditet vetëm e treta në sondazhe, ndërsa humbet vazhdimisht mbështetje nga krahu i saj i djathtë? Është e lehtë ta konsiderosh Kemi Badenoch dhe partinë e saj si një fenomen dytësor.
Por kjo do të ishte një gabim.
Me deklaratat e saj të fundit, Badenoch e ka orientuar praktikisht Partinë Konservatore drejt një politike përballjeje, madje edhe përçarjeje të mundshme, me Bashkimin Europian. Së fundmi ajo shkroi në një artikull se kushdo që kundërshton planin e saj për ta tërhequr Britaninë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) ose për të hequr dorë nga angazhimet për emetimet neto zero, nuk është “serioz” dhe, për këtë arsye, nuk duhet të kandidojë për Partinë Konservatore në zgjedhjet e ardhshme.
Më pas, ajo i hoqi mbështetjen zyrtare të partisë (një mënyrë parlamentare britanike për të thënë se u përjashtua) lordit Gavin Barwell, pasi ai kritikoi qëndrimin e saj. Ky veprim kujton spastrimet që Boris Johnson bëri ndaj konservatorëve proeuropianë.
Në Westminster, këto zhvillime janë parë kryesisht si pjesë e politikës së brendshme: një lidere konservatore e gatshme të sakrifikojë elektoratin tradicional të qendrës së djathtë për të ndalur largimin e votuesve drejt partisë Reform UK.
Por ajo që mungon në këtë analizë është dimensioni europian.
Nëse konservatorët rikthehen në pushtet – dhe sondazhet tregojnë se kjo është e mundur përmes një aleance me Reform UK – vijat e kuqe ideologjike të Badenoch do të ringjallin fantazmën e një Brexit-i pa marrëveshje (“no deal Brexit”).
Arsyeja është e thjeshtë: anëtarësimi i Britanisë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut është themeli mbi të cilin mbështetet e gjithë marrëdhënia pas Brexit-it me Bashkimin Europian.
Neni 763 i Marrëveshjes për Tregtinë dhe Bashkëpunimin të vitit 2021 kërkon që të dyja palët të respektojnë vlerat e përbashkëta, përfshirë traktatet për të drejtat e njeriut ku janë nënshkruese. Neni 771 e përcakton këtë si kusht thelbësor të marrëveshjes, ndërsa neni 772 parashikon se, nëse njëra palë e shkel këtë detyrim, pala tjetër ka të drejtë ta pezullojë ose ta ndërpresë marrëveshjen.
Sipas Catherine Barnard, profesore e së drejtës europiane dhe studiuese pranë institutit UK in a Changing Europe, Bashkimi Europian këmbënguli për këto dispozita mbi të gjitha për të mbrojtur paqen në Irlandën e Veriut.
Konventa Europiane është pjesë përbërëse e Marrëveshjes së së Premtes së Mirë, përmes së cilës Britania u angazhua t’i përfshinte të drejtat e saj në legjislacionin e Irlandës së Veriut. Ndërkohë, Korniza Windsor, marrëveshja e negociuar nga Rishi Sunak për të lehtësuar tregtinë pas Brexit-it në Detin Irlandez dhe për të mbajtur të hapur kufirin tokësor, garanton se nuk do të ketë “pakësim të të drejtave, garancive dhe barazisë së mundësive” të parashikuara nga Marrëveshja e së Premtes së Mirë.
Por ndikimi i Konventës nuk ndalet këtu.
Anëtarësimi në të mbështet edhe bashkëpunimin për shkëmbimin e të dhënave, ekstradimet penale dhe fusha të tjera të rëndësishme. Madje edhe marrëveshja për Gjibraltarin, e nënshkruar vetëm më 15 korrik, kërkon që të dyja palët të mbeten pjesë e Konventës.
Një qeveri britanike që do të largohej prej saj nuk do të bënte thjesht një ndryshim në sistemin e të drejtave të njeriut; ajo do të fillonte të shkulte një fije që mban të lidhur të gjithë strukturën e marrëdhënieve mes Britanisë dhe BE-së pas Brexit-it.
Konservatorët argumentojnë se rreziku po ekzagjerohet dhe se Bashkimi Europian nuk do të vinte kurrë në rrezik një marrëdhënie kaq të rëndësishme tregtare për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi Konventën.
Por ky argument të kujton vetëbesimin e tepruar që shoqëroi gjithë procesin e Brexit-it.
David Wolfson, ministri në hije për drejtësinë, argumentoi vitin e kaluar se largimi nga Konventa nuk do të shkelte Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, pasi ajo kërkon vetëm që të drejtat të mund të mbrohen në gjykatat britanike.
Megjithatë, shumë ekspertë të tjerë ligjorë, veçanërisht në Irlandën e Veriut, nuk bien dakord. Ata kujtojnë se Konventa u përfshi në marrëveshje pikërisht për të garantuar që këto të drejta të mbroheshin nga një institucion i pavarur nga shteti britanik.
Vendimi i këtij viti i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian kundër Hungarisë për ligjin e saj kundër komunitetit LGBTQ+ tregoi se sa rëndësi i kushton BE-ja mbrojtjes së të drejtave themelore. Vështirë se do të tregonte më pak vendosmëri nëse do të konsideronte se interesat jetike të një shteti anëtar ishin në rrezik.
Problemi nuk kufizohet vetëm te Konventa Europiane.
Neni 772 i Marrëveshjes për Tregtinë dhe Bashkëpunimin parashikon gjithashtu se çdo veprim ose mosveprim që cenon objektivat e Marrëveshjes së Parisit për klimën konsiderohet një shkelje serioze e detyrimeve thelbësore të marrëveshjes.
Në varësi të mënyrës se si do të konkretizohet politika e Badenoch kundër objektivit të neto zero, kjo mund të krijojë probleme të mëdha edhe në marrëdhëniet tregtare, pasi rregullat e konkurrencës së ndershme mes Britanisë dhe BE-së mbështeten pikërisht mbi objektiva të përbashkëta klimatike.
Europianët mund të tundin kokën dhe ta konsiderojnë retorikën e Badenoch si një tjetër provë se politika britanike mbetet, për të përdorur vetë fjalën e saj, “jo serioze”.
Por edhe kjo do të ishte një formë vetëkënaqësie.
Në një botë ku rendi ndërkombëtar po copëzohet dhe Europa përballet njëkohësisht me një Rusi agresive, një SHBA gjithnjë e më të paparashikueshme dhe një Kinë të orientuar nga interesat e saj ekonomike, marrëdhënia mes Britanisë dhe Bashkimit Europian është bërë jetike për sigurinë e kontinentit.
Nuk mjafton më që Brukseli të përsërisë se i takon Britanisë të vendosë çfarë marrëdhënieje dëshiron me Europën. Të dyja palët kanë përgjegjësinë ta forcojnë këtë marrëdhënie përpara zgjedhjeve të ardhshme britanike.
Në fakt, edhe Andy Burnham mund të ketë nevojë për çdo mbështetje të mundshme. Vullneti i tij i mirë ende nuk është shndërruar në një politikë të qartë europiane, ndërsa “rinisja” e Starmer-it ka arritur kufirin e asaj që mund të realizohet pa kaluar vijat e kuqe të Laburistëve: pa rikthim në tregun unik, në bashkimin doganor apo në lëvizjen e lirë të njerëzve.
Për ta çuar më tej marrëdhënien, nevojitet një projekt i ri që të thellojë lidhjet politike dhe institucionale pa shkelur vijat e kuqe të asnjërës palë.
Një pakt mbrojtjeje, i ndërtuar mbi koalicionet ekzistuese të bashkëpunimit dhe që përfshin edhe Ukrainën, duket kandidati më i natyrshëm.
Nëse Brukseli dëshiron të zhdukë përfundimisht fantazmën e një Brexit-i pa marrëveshje që Badenoch mund të rikthejë, duhet të bëjë edhe ai pjesën e vet, duke dëshmuar se partneriteti mes Britanisë dhe Bashkimit Europian mbetet i vlefshëm për të dyja palët.
