Organizata suedeze jofitimprurëse thotë se riparimi i anijes kushtoi rreth 6 mijë dollarë, por Universal – që arkëtoi 264 milionë dollarë vetëm në fundjavën e parë të shfaqjes së filmit – ende nuk e ka shlyer faturën.
Miranda Bryant, korrespondente për vendet nordike
Pronarët suedezë të një replike të një anijeje të gjatë vikinge, e cila shfaqet në superprodhimin hollivudian “The Odyssey”, thonë se ndihen “të harruar”, pasi, sipas tyre, producentët ua kthyen anijen të dëmtuar dhe nuk kanë paguar ende kostot e riparimit.
Gjatë afro tre dekadave lundrimi, anija luftarake Glad av Gillberga – e ndërtuar sipas modelit të një anijeje të mbytur rreth vitit 1040, e zbuluar në fiordin Roskilde të Danimarkës – ka përshkuar me sukses Detin e Veriut, Detin Baltik, madje ka kaluar edhe Oqeanin Atlantik drejt Kanadasë.
Por pas gjashtë muajsh në përdorim nga Universal Pictures, e cila, sipas pronarëve, kishte premtuar të mbulonte çdo shpenzim riparimi, anija u kthye me dëmtime të konsiderueshme, përfshirë pjesën e pasme (sternën) dhe direkun.
Organizata jofitimprurëse Vikingaleden, një qendër kulturore vikinge në rajonin e Värmlandit, në perëndim të Suedisë, thotë se pasi i dërgoi Universal-it faturën vetëm për materialet e përdorura në riparim – pa kërkuar pagesë për punën vullnetare të anëtarëve të saj – nuk mori asnjë pagesë.
Një vit më vonë, ndërsa epopeja e Christopher Nolan-it, me Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway dhe Zendaya, po pushton kinematë në mbarë botën dhe ka arkëtuar 264 milionë dollarë vetëm gjatë fundjavës së parë, organizata suedeze thotë se ende pret pagesën prej rreth 6 mijë dollarësh.
Peter Olausson, kryetar i shoqatës Vikingaleden, tha se ndihet krenar që anija e tyre është bërë pjesë e filmit, por kjo krenari është zbehur nga ajo që ai e konsideron një padrejtësi.
“Ne po kërkojmë vetëm koston e materialeve, jo pagesën për punën tonë. Sigurisht që Universal mund t’i përballojë këto 6 mijë dollarë. Ne ndihemi të harruar,” tha ai.
Anija tashmë është rikthyer në lundrim, por Olausson akuzon studion se nuk ka respektuar marrëveshjen.
“Marrëveshja ishte që ne ta riparonim dhe më pas të na rimbursoheshin shpenzimet.”
Sipas tij, shuma mund të jetë e papërfillshme për një studio si Universal, por për shoqatën me rreth 200 anëtarë, e cila administron një “fshat” dhe muze viking, ajo përbën një kosto të konsiderueshme.
Universal Pictures është kontaktuar për të dhënë një koment, por deri tani nuk ka reaguar.
Filmi, i cili sipas raportimeve ka kushtuar rreth 250 milionë dollarë, bazohet në poemën epike të Homerit dhe rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të mbretit të Itakës, Odiseut, në përpjekje për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Glad av Gillberga u përdor si një nga anijet shoqëruese të flotës, pasi konsiderohet se ka karakteristika të ngjashme me mjetet lundruese nordike që mund të kenë frymëzuar anijet e epokës.
Anija kryesore e Odiseut ishte Draken Harald Hårfagre, një replikë norvegjeze 35 metra e gjatë.
Kapiteni i saj suedez, Björn Ahlander, tha se xhirimet gjashtëmujore rreth ishujve grekë dhe italianë nuk qenë aspak të lehta për ekuipazhin prej 30 personash.
“E shndërruam anijen në një mjet lundrues të Greqisë së lashtë. Hoqëm tendat dhe çdo element modern, duke lënë një kuvertë të hapur ku jetuam gjatë gjithë xhirimeve. Ishte një përvojë mjaft e vështirë,” tha ai për televizionin publik suedez SVT.
