Nga Marin Mema
Pas deklaratave ekstreme të ministres së tij, të pasuara nga mbështetja e Zv/Kryeministrit, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vijuar me deklarata të së njëjtës frymë kërcënuese.
Gjatë ceremonisë së gradimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, në një kasermë ushtarake, Vuçiç deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se ajo duhet të mbrohet. Sipas Vuçiçit, Tirana, Prishtina dhe Zagrebi po krijojnë një aleancë kundër Serbisë dhe me këtë ai i nxiti ushtarët të jenë të gatshëm në çdo situatë.
Këtyre deklaratave duhet t’u jepet një përgjigje e qartë: Kosova ka qenë, është e do të jetë e shqiptarëve, bijëve të një populli të lashtë sa vetë bota! Vuçiç po përpiqet të nxisë një frymë nacionaliste dhe ekstreme, duke e përdorur këtë qasje për interesa politike. Por përgjigjja ndaj këtyre qëndrimeve nuk mund të mbetet vetëm te fjalët, sepse sot më shumë se kurrë nevojiten veprat.
Detyra jonë është të punojmë për forcimin e identitetit kombëtar, fuqizimin e shqiptarëve në çdo fushë, zhvillimin e ekonomisë, forcimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, bashkimin e forcave mbarëshqiptare dhe bashkëpunimit me aleatët. Jo me fjalë, por me vepra konkrete. Nuk duhet të kemi frikë ta forcojmë hapur sigurinë!
Shqiptarët historikisht nuk kanë kërkuar konflikte, por paqen, zhvillimin dhe të drejtën për të jetuar në ato troje që u ka dhënë Zoti e historia! Megjithatë, retorika që vazhdon të vijë nga Serbia e shpesh edhe nga Greqia, dëshmon se disa qarqe ende nuk janë shkëputur nga një mendësi e së kaluarës dhe vazhdojnë të ndjekin një qasje që ushqen tensione, përplasje dhe kërcënime.
Përgjigjja më e mirë është të ecim përpara, të fuqizohemi dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë me vendosmëri. Jo me deklarata boshe, por me punë, zhvillim, bashkim dhe rezultate konkrete. Nuk duhet të kemi frikë të themi se shqiptarët, bashkë janë më të fortë!
