Last Updated on 26/07/2026 by EL
Një mi i vogël që jeton në vargmalin e Andeve ka sfiduar kufijtë e njohur të mbijetesës së gjitarëve. Bëhet fjalë për Phyllotis vaccarum, i cili është gjitari që jeton në lartësinë më të madhe të regjistruar ndonjëherë, duke arritur deri në rreth 7.000 metra mbi nivelin e detit. Një studim i publikuar në revistën Science ka zbuluar për herë të parë përshtatjet evolucionare që i mundësojnë të mbijetojë në një mjedis ku oksigjeni është pothuajse përgjysmë dhe temperaturat janë vazhdimisht nën zero.
Për shumë vite shkencëtarët besonin se asnjë gjitar nuk mund të jetonte mbi 5.500 metra lartësi. Në këto kushte, përqendrimi i oksigjenit në ajër është rreth gjysma e atij në nivelin e detit, gjë që e bën frymëmarrjen dhe furnizimin e organizmit me oksigjen jashtëzakonisht të vështirë.
Megjithatë, mes viteve 2020 dhe 2023, studiuesit gjetën ekzemplarë të gjallë të Phyllotis vaccarum në majën e vullkanit Llullaillaco, në kufirin mes Argjentinës dhe Kilit, në një lartësi prej 6.739 metrash. Kjo provoi se kafsha jo vetëm arrin në këto lartësi, por jeton dhe shumohet aty, ku oksigjeni përbën vetëm rreth 44% të nivelit që gjendet në ajrin që thithim në nivelin e detit. Analiza gjenetike e 167 individëve zbuloi tre faktorët kryesorë që e bëjnë të mundur këtë mbijetesë.
Së pari, miu ka muskuj jashtëzakonisht efikasë, me një numër të madh mitokondrish, të cilat prodhojnë energjinë e nevojshme për të përballuar mungesën e oksigjenit. Studiuesit i krahasojnë këto muskuj me ata të sportistëve të disiplinave të rezistencës, si maratonistët.
Së dyti, ai ka një metabolizëm të përshtatur për të ruajtur dhe përdorur rezervat e yndyrës në kushte ekstreme, duke siguruar energji edhe kur ushqimi është shumë i kufizuar.
Së treti, Phyllotis vaccarum ka një dietë tepër të larmishme. Ai ushqehet me likene, fara, insekte të vogla të sjella nga era, si edhe me disa bimë toksike, të cilat organizmi i tij është në gjendje t’i neutralizojë gjatë procesit të tretjes. Sipas studiuesve, ky mi përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të evolucionit, duke treguar se gjitarët mund të përshtaten dhe të lulëzojnë edhe në kushte që deri pak vite më parë konsideroheshin të pamundura për jetën.
