Publikimi i videoklipit të këngës së re “Petal” ka rikthyer Ariana Granden në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo vetëm për muzikën. Pamja fizike e artistes ka nxitur një valë komentesh në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë shprehur shqetësim për peshën e saj.
Në videoklip, 33-vjeçarja interpreton personazhin e Pepper, një këngëtare që përpiqet të depërtojë në industrinë muzikore. Gjatë rrugëtimit të saj, ajo përballet me refuzime të vazhdueshme dhe kritika të ashpra nga drejtues të industrisë, ndërsa historia zhvillohet me nota satirike dhe përfundon me një skenë simbolike.
Megjithëse klipi trajton presionin dhe sfidat e famës, një pjesë e madhe e diskutimeve në internet u fokusuan te pamja e Grandes. Shumë përdorues komentuan se këngëtarja duket shumë më e dobët se më parë, duke shprehur shqetësim për mirëqenien e saj.
Në anën tjetër, shumë fansa dolën në mbrojtje të artistes, duke theksuar se është e papërshtatshme të gjykohet shëndeti i dikujt vetëm nga pamja. Sipas tyre, spekulimet mbi trupin e një personi mund të jenë të dëmshme dhe të panevojshme.
Kjo nuk është hera e parë që Ariana Grande përballet me komente të tilla. Edhe më parë ajo ka folur publikisht për presionin që personazhet e njohur përjetojnë për shkak të komenteve mbi pamjen e jashtme, duke theksuar se njerëzit shpesh harrojnë se fjalët e tyre mund të kenë ndikim tek të tjerët./mxh
