Nëse gjatë javëve të fundit keni ndjerë se dhimbjet e trupit janë bërë më të forta, nuk është thjesht përshtypje. Temperaturat e larta mund të shtojnë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes, duke ndikuar në mënyrën se si trupi e percepton atë. Një analizë e publikuar në muajin mars nga studiues të Universitetit Teknologjik Nanyang në Singapor dhe City St George’s, University of London, bazuar në të dhënat e rreth dy milionë qytetarëve amerikanë, zbuloi se në ditët me temperatura 32°C ose më të larta, gjasat që njerëzit të raportonin dhimbje fizike rriteshin me 1.9% krahasuar me mesataren.
Sipas studiuesve, temperaturat e larta e vendosin organizmin nën stres dhe ndikojnë në disa procese fiziologjike. Dehidratimi, rritja e inflamacionit në trup dhe ndryshimet e presionit të gjakut mund ta bëjnë dhimbjen të ndihet më e fortë. Ndikimi nuk është vetëm i drejtpërdrejtë. Vapa e tepërt shpesh prish cilësinë e gjumit, përkeqëson humorin, ul aktivitetin fizik dhe ndryshon zakonet ushqimore. Të gjithë këta faktorë mund të rrisin perceptimin e dhimbjes dhe të krijojnë një rreth vicioz. Për shembull, netët tropikale e bëjnë më të vështirë gjumin, ndërsa mungesa e gjumit e rrit ndjeshmërinë ndaj dhimbjes. Nga ana tjetër, vetë dhimbja e bën edhe më të vështirë pushimin e mirë, duke përkeqësuar situatën.
Ekspertët theksojnë se, nëse kjo gjendje zgjat, mund të ndikojë jo vetëm në mirëqenien fizike dhe mendore, por edhe në përqendrimin, aftësinë për të marrë vendime dhe produktivitetin në punë, duke sjellë pasoja edhe në aspektin ekonomik.
