Last Updated on 06/08/2026 by Anisa
Profesori shqiptaro-amerikan, i cili prej më shumë se një viti ka paralajmëruar me zë të lartë se do të rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga misioni i tij politik. Madje sipas tij, jo vetëm që plani është gati, por edhe “kabineti qeveritar” pret vetëm momentin për të marrë drejtimin e një qeverie teknike.
Në një intervistë të fundit për CNA, Pëllumb Pilinçi shpalosi me të njëjtën siguri ambiciet e tij politike, por edhe lidhjet që pretendon se ka pasur ndër vite me emra të njohur të politikës amerikane. Nga Donald Trump te Anthony Blinken, profesori tha se ai lëviz lirshëm në korridoret e politikës amerikane, ndërsa në Shqipëri e sheh veten si njeriun që mund të drejtojë një qeveri teknike për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
“Unë jo e njoh, por e kam pasur shok Blinkenin. Unë po e them shkurt, troç dhe shqip, Pilinçi ka 50 e ca vjet në Amerikë, që në 74. Pilinçi ka punën e tij dhe kjo do të thotë një fjalë si mburrje, unë nuk pyes as presidentin e Amerikës. Në Amerikë janë të ndara gjërat. Unë kam lujtuar me Trump golf , por unë jam republikan dhe jam puro dhe presidenti që ndodhet sot nuk është republikan, ka qenë demokrat. Ka rëndësi që Pilinçi ka kompetenca”, tha ai ndër të tjera, duke shtuar më tej se nuk i jep llogari askujt, as Sali Berishës dhe as Edi Ramës, madje as ndonjë figure tjetër politike.
Ai e konsideron të drejtë legjitime të çdo shqiptari ngritjen e një alternative qeverisëse, duke këmbëngulur se struktura e qeverisë teknike që ai promovon është ndërtuar pikërisht me objektivin për të rrëzuar kryeministrin.
“Unë nuk pyes as Berishë, as Edi Ramën dhe asnjë njeri. Unë kam të drejtë, çdo shqiptar ka të drejtë, nëse shqiptarët e duan diçka unë kam të drejtë të ndërtoj qeveri teknike. Qeveria teknike është ndërtuar me qëllimin për të rrëzuar Edi Ramën”, tha ndër të tjera./ad
