Last Updated on 06/08/2026 by Anisa
Drafti i qeverisë për riorganizimin territorial ka hasur kundërshtimin e parë nga disa bashki, teksa këshillat vendorë kanë nisur të shprehin qëndrimet e tyre për shkrirjen e njësive vendore.
Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka votuar kundër propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me Bashkinë e Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët votuan unanimisht kundër draftit të qeverisë.
Vendimi erdhi pas reagimeve dhe protestave të banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar humbjen e statusit të bashkisë dhe kanë kërkuar që Këlcyra të vijojë të funksionojë si njësi më vete.
Këshilltarët bashkiakë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, i bënë thirrje edhe Këshillit Bashkiak të Përmetit të mos miratojë propozimin për bashkimin e dy bashkive.
Ndërkohë, edhe në Klos ka nisur diskutimi për ndarjen e re territoriale, ku drafti i qeverisë parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se përpara çdo vendimmarrjeje do të zhvillohen dëgjesa publike me banorët në të gjitha njësitë e zonës.
Ajo tha se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve. “Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, edhe unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.
Procesi i riorganizimit territorial pritet të shoqërohet me debate edhe në bashki të tjera, ndërsa propozimet për bashkimet e reja kanë nisur të përballen me kundërshtime nga komunitetet lokale dhe përfaqësuesit vendorë./ad
