Last Updated on 12/08/2026 by EL
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar lidhur me një deklaratë të një emigranti i cili ka kërcënuar deputetin Ramush Haradinaj. Në deklaratë emigranti është shprehur se Haradinaj duhet pushkatuar.
Mësohet se Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP) për të nisur punën për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve urgjente lidhur me këtë rast.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të bashkëpunoj ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim të identifikimit të personit përgjegjës, zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejme, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
