Nga Leonard Veizi
Maku, — që sipas Dritës nuk ishte burrë, — punonte në Ndërmarrjen e Grumbullimit. Ndërsa drejtor Miti e përdorte si zëvendësuesin e grave me barrë që merrnin lejen e lindjes. Dhe Maku, — si personazh i filmit “Zëvendësi i grave”, — nuk ia prishte Mitit që e kishte edhe komshi të vjetër, por mundohej të mbaronte punët e ndërmarrjes.
— Ka njerëz që nuk ia dinë fare vlerën Ndërmarrjes së Grumbullimit, — thoshte ai. — E shohin nga emri: “Grumbullim”. Po ju duhet ta kuptoni se ne kemi ndërmarrje që grumbullojnë orizin, grumbullojmë pambukun, grumbullojmë mishin. Pastaj ne grumbullojmë edhe bimët medicinale, grumbullojmë grurin, grumbullojmë misrin…
Por mbase Maku duhet të shtonte se Ndërmarrja vlente edhe për grumbullimin e shisheve dhe kavanozave prej qelqi, që vlenin për t’u ripërdorur. Në vitet e socializmit, për ata që nuk e dinë, ricikloheshin shishet e birrës, ato të qumështit, të aranxhatave, si dhe kavanozat e kompostove. Shteti e kishte zgjidhur kështu punën e shpërdorimit dhe të mbetjeve të tepërta: dorëzoje kavanozin dhe merrje lekët mbrapsht.
Matematikë e thjeshtë. Kavanozat dhe shishet nuk zinin vend në kazanin e mbeturinave. Ndaj dhe kazanët ishin të vegjël, jo si këta të sotmit që mbajnë një ton mbeturina brenda, dhe vijnë erë të qelbur një kilometër larg.
Ajo që nuk grumbullohej ishte plastika. Plastika ishte luks kapitalist. Do ta zbulonim më vonë këtë, bashkë me qeset njëpërdorimëshe, shishet PET dhe gjithë ushtrinë e ambalazheve që sot na ndjekin nga mëngjesi në darkë si një tufë e heshtur.
Tani vjen Bashkimi Evropian dhe na thotë: Mjaft! Që nga 12 gushti i vitit 2026, hyjnë në fuqi rregullat e reja për paketimet. Dhe BE-ja këtë herë nuk bën shaka. Me pak fjalë, ja çfarë na kërkon Brukseli:
–Ndalime nga viti 2030: Jashtë loje shkojnë paketimet plastike njëpërdorimëshe për fruta e perime, enët dhe gotat njëpërdorimëshe, qeset e vogla të sheqerit e salcave, shishet mini të shampove në hotele, dhe ato qeset ultra të holla. Edhe ato mbështjellëset plastike që ngjitin 6 produkte bashkë në supermarket do të zhduken.
–Më pak ajër, më shumë produkt: Kutitë e porosive online nuk do të vijnë më me 80% boshllëk. Sepse edhe ajri, me sa duket, është bërë çështje evropiane.
-Më pak mbetje për frymë: Ulje me 5% deri në 2030, 10% deri në 2035, dhe 15% deri në 2040.
–Më shumë riciklim: Të gjitha paketimet duhet të jenë të riciklueshme dhe të përmbajnë gjithnjë e më shumë material të ricikluar. Domethënë, e kundërta e asaj që bëmë ne në vitet ’90 e deri tani.
Dhe këtu më vjen ndër mend Maku dhe përkushtimi i tij në ndërmarrjen e Grumbullimit ku përplasjet më të forta i kishte me Malo furnitorin. Ndoshta kemi gabuar. Ndoshta nuk duhej t’i mbyllnim Ndërmarrjet e Grumbullimit. Duhej thjesht t’i lyenim, t’u vendosnim një logo me yje dhe t’u ndryshonim tabelën. Sepse nëse hyjmë në BE në vitin 2029, — siç na thotë kryeministri çdo të hënë, — një ditë do të na duhet t’i rihapim.
Vetëm se kësaj radhe nuk do të shkruhet më “Ndërmarrja e Grumbullimit”. Mbase do të shkruhet: “Qendra Evropiane për Grumbullimin, Klasifikimin, Riciklimin dhe Ripërdorimin e Mbetjeve të Paketimit”. Dhe drejtori nuk mund të jetë Miti, dhe as shef Nesimi nuk do të jetë kryefinancier. Por punëtorë si Maku gjen sa të duash. Edhe po nuk patëm ne, na furnizon Azia me krahë pune. Vetëm uniforma do të ketë një flamur me 12 yje të qepur sipër xhepit.
