Nga Artan Fuga
Media e ka humbur aftësinë që ka pasur në shekullin e XX për të orientuar vëmendjen e publikut. Ajo nuk e ka më fuqinë ta përqendrojë vëmendjen e tij në një ose disa çështje themelore.
Është vetë individi që e krijon informacionin që merr. Zhytet kështu në një lloj autizmi komunikativ që e izolon brenda vetes. Bota nuk është më një “ob-ject”, pra një objekt jashtë tij, përballë tij, por individi është zhytur në botën që e rrethon, qendroin brenda saj si një polumbar në thellësi të oqeanit, njeriu dhe bota janë të shkrirë me njeri tjetrin në një të tërë dhe askush nuk është më gjendje të dijë se ku i mbaron vetja dhe ku fillon bota.
E vërteta është bërë “emersive”, një e vërtetë ku dija dhe formuluesi i dijes, informacioni dhe krijuesi i informacionit, mpleksen e kokolepsen keqazi me njeri tjetrin.
Individi tërheq si informacione vetëm ato që përputhen me shijet e tij, me bindjet e tij, me këndvështrimet e tij, sikurse këndvështrimet, bindjet, shijet njerëzore individuale duket se gjejnë një konfirmim iluzor nga informacionet që njeriu merr, por që në fakt i ka zgjedhur vet. Mbi këtë bazë paragjykimet sociale, kokëfortësia ideologjike, sedra e sëmurë për të mos ndryshuar qëndrim, përforcohen gjoja nga mbështetja e tyre në informacione të cilat edhe në qofshin të vërteta, janë përzgjedhur në mënyrë krejt subjektive.
Individit i mbërrijnë në ekranin e telefonit celular ato video që ai dëshiron t’i vijnë. Ai nuk sheh botën, por vetëm botën sipas këndvështrimit të tij. Sapo zbret nga platforma sociale a nga web-i një ose disa video sipas një tematike apo këndvështrimi, nga llogaria e një influencuesi apo llogaria e një personazhi publik në rrjetet sociale, algoritmi përzgjedh të tjera të ardhura nga të njëjtat burime, me të njëjtat këndvështrime, të përpiluara nga e njëjta dorë. Nuk është vetëm një fakt i kthyer në video, një imazh i veçantë, një këndvështrim i izoluar që mbërrin në ndërgjegjen individuale. Është një lum videosh me fakte, ngjarje, këndvështrime që rrjedh nga ekranet e vegjël te psikika njerëzore. Gjithkush e sheh veten të konfirmuar nga faktet audiovizive, e ndjen se jeta e konfirmon dhe s’e kupton kurthin ka rënë.
Mbi këtë bazë debati shoqëror bëhet mes individësh kokëfortë, të gjithë të bindur se janë gjeni, se dinë gjithçka, se kanë të drejtë në një botë, fatkeqësisht, të mbushur në mos jo me të marrë, por me budallenj padyshim. Në këtë mënyrë askush nuk heq dorë nga e tija. Gabim është tjetri, kurrsesi vetja. Tonet në debat bëhen të ashpra dhe jo rrallë përfundojnë në sherre, në gjuhë të dhunshme, në fyerje personale. Njeriu bëhet gjaknxehtë, humbet durimin, rrit stresin brenda vetes së vet.
