Last Updated on 15/08/2026 by EL
Ndërsa profili politik i kryeministres italiane Giorgia Meloni ka pësuar një transformim gradual — nga një aktiviste e ashpër e krahut të djathtë në një udhëheqëse pragmatike të establishmentit evropian — bashkë me të ka evoluar edhe imazhi i saj publik dhe stili i veshjes.
Kur mori detyrën në tetor të vitit 2022 si gruaja e parë në krye të qeverisë italiane, Meloni u shfaq në Pallatin Chigi me një kostum të errët dhe çizme të zeza me shollë të trashë, zgjedhje që simbolizonin fillesat e saj në skajet e politikës konservatore. Sot, ndërsa po konsolidon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, stili i saj është zbutur ndjeshëm, duke u zhvendosur drejt kostumeve me pantallona të gjera në tonet pastel që mbulojnë takat e larta. Ekspertët e modës e vlerësojnë këtë ndryshim si një përpjekje të mirëmenduar për të përcjellë autoritet dhe besueshmëri, pa shfaqur konfrontim.
“Ajo e kupton mjaft mirë se sa e rëndësishme është veshja në komunikimin joverbal në politikë,” shpjegon Antonio Mancinelli, kritik mode dhe pedagog në Akademinë e Kostumeve dhe Modës në Romë dhe Milano.
Ky përdorim strategjik i imazhit nuk është i izoluar në skenën botërore, ku liderë të ndryshëm përdorin veshjen për të përforcuar mesazhet e tyre politike. Megjithatë, për kryeministren e një vendi ku industria e modës përbën një nga shtyllat kryesore ekonomike, çdo detaj merr një peshë të veçantë.
“Kur bëhet fjalë për një grua që përfaqëson një vend të famshëm për modën, çështja bëhet shumë më serioze,” nëvizon stilistja italo-haitiane Stella Jean.
Ndryshimi vizual reflekton gjithashtu një zhvendosje në pozicionimin e saj gjeopolitik. Edhe pse ka ndjekur politika strikte konsoliduese brenda vendit, Meloni ka mbajtur një linjë bashkëpunuese me Bashkimin Evropian dhe është treguar një mbështetëse e palëkundur e Ukrainës.
“Kur ishte udhëheqëse e një partie të vogël, ajo kishte një elektorat të ngushtë me të cilin duhej të lidhej,” argumenton analisti politik Riccardo Alcaro nga Instituti për Çështje Ndërkombëtare (IAI). “Sot ajo drejton një nga vendet kryesore të BE-së dhe i duhet të projektojë imazhin e një udhëheqëseje të besueshme.”
Në përditshmërinë e saj zyrtare, Meloni ka braktisur pothuajse tërësisht të zezën absolute — ngjyrë që historikisht në Itali mbart edhe ngarkesa politike të së shkuarës — duke preferuar tonet e çelëta dhe neutrale.
“Ngjyrat e zbehta transmetojnë butësi dhe hapje, duke e bërë personin më mikpritës,” thotë Michela Bonafoni, docente mode në Unicollege në Firence.
Vetëbesimi i saj i ri në diplomacinë ndërkombëtare u shfaq qartë edhe gjatë samitit të fundit të G7 në Evian-les-Bains, ku ajo u paraqit me një kostum ngjyrë bezhë të kombinuar me një kravatë të së njëjtës hije. Në një moment të kapur nga mikrofonat e hapur, Kancelari gjerman Friedrich Merz komentoi me buzëqeshje: “Paske vendosur të veshësh kravatë sot?”, pyetje së cilës Meloni i u përgjigj me ngacmim: “Po, kështu që mund të më konsiderosh një luftëtare.”/et
