Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka sjellë anulimin e dy eventeve të mëdha muzikore në Abu Dhabi, ku pritej të performonin Shakira dhe Christina Aguilera.
Festivali Offlimits, ku Shakira ishte planifikuar të ngjitej në skenë më 21 nëntor, është anuluar nga organizatorët. Ata kanë bërë të ditur se biletat do të rimbursohen, ndërsa kanë lënë të hapur mundësinë që festivali të rikthehet në vitin 2027.
Në të njëjtën kohë, është anuluar edhe koncerti i Christina Aguilera, i cili ishte parashikuar për 25 shtator. Edhe në këtë rast nuk është njoftuar një datë e re.
Të dyja performancat ishin shtyrë më herët për shkak të situatës së sigurisë dhe vështirësive të krijuara në udhëtimet ajrore. Festivali Offlimits fillimisht ishte planifikuar për 4 prill, ndërsa koncerti i Aguilera-s për 24 prill.
Anulimet vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë përballur me sulme me raketa dhe dronë. Pavarësisht se intensiteti i sulmeve është ulur, situata vijon të ndikojë në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare në vend./mxh
