Nga Erion Dasho
Në javët e kaluara kam trajtuar kryesisht lidhjen midis teorive konspirative dhe dëshmisë së Dr. Anthony Faucit në Senatin Amerikan. Me kërkesë të disa kolegëve, por edhe në përgjigje të sugjerimeve të ndjekësve të faqes, sot do të ndalem në disa aspekte që kanë një vlerë akoma më të madhe nga pikëpamja e shëndetit publik.
Duke u marrë me përkrahësit e fantaksur të teorive konspirative, të cilët u përpoqën ta paraqesin refuzimin e Faucit për të dëshmuar si provë të vërtetësisë së çdo idiotësie dhe përçartjeje të gjashtë viteve të fundit , kemi harruar se debati në Kongresin Amerikan zhvillohet jo vetëm rreth origjinës së pandemisë, por edhe rreth disa temave me shumë më tepër vlerë, jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën.
Çfarë u bë drejt dhe çfarë u bë gabim gjatë pandemisë?
Përgjigja ndaj kësaj pyetje nuk duhet të ketë si synim kryqëzimin e fajtorëve (pa përjashtuar vendosjen para përgjegjësisë në rastet kur janë shkelur ligjet), por nxjerrjen e mësimeve të cilat do të përcaktojnë edhe mënyrën se si njerëzimi do t’u përgjigjet pandemive në të ardhmen.
Kjo analizë duhet të nisë me pranimin e faktit se shumë vendime të marra gjatë pandemisë ishin të gabuara ose, të paktën, jo aq të mbështetura në evidencë sa u paraqitën.
Karantina ishte e justifikuar në javët e para, kur përballeshim me një virus të panjohur dhe duhej fituar kohë. Por zgjatja e lockdoën-eve për muaj të tërë pati pasoja shëndetësore, ekonomike dhe sociale që në shumë raste u nënvlerësuan.
Gjermania dhe gjithë vendet evropiane ende po i vuajnë pasojat e rrënimit ekonomik që pasoi pandeminë. Ekonomia e paralizuar dhe subvencionet për humbjet që pësuan bizneset ende vazhdojnë të peshojnë mbi ekonominë më të madhe të BE-së.
Mbyllja e shkollave është ndoshta shembulli më i dhimbshëm. Fëmijët kishin një risk shumë më të ulët për forma të rënda të COVID-it dhe kjo u provua që në ditët e para të pandemisë. Ndërkohë ata humbën muaj të tërë mësimi, socializimi dhe zhvillimi normal.
Edhe vaksinimi kërkon një analizë më të thelluar. Përfitimi i vaksinimit tek një 70 vjeçar ishte jashtëzakonisht i madh, ndërsa përfitimi tek një 15 apo 20 vjeçar i shëndetshëm ishte shumë herë më i vogël.
Akoma më e diskutueshme ishte nëse rekomandimet duhet të ishin të njëjta për një person që sapo kishte kaluar COVID-in dhe për dikë që nuk kishte imunitet të mëparshëm. Përse duhej kërkuar me insistim që të vaksinoheshin edhe personat e shëruar?! Kësaj pyetjeje askush nuk i dha përgjigje kur nisën fushatat e vaksinimit.
Këto pyetje nuk janë konspiracion, por pyetje legjitime shkencore.
Mësimi kryesor është se gjatë pandemisë shpesh u harrua se shëndeti publik nuk është vetëm mjekësi, por një disiplinë që i kalon ndjeshëm kufijtë e shkencës mjeksore.
Një mjek mund të thotë se izolimi zvogëlon transmetimin e një virusi, por politikëbërësi duhet të pyesë edhe se çfarë i bën izolimi ekonomisë, arsimit, shëndetit mendor, marrëdhënieve sociale dhe të drejtave të njeriut.
Epidemiologu mund të llogarisë sa infeksione parandalon mbyllja e një shkolle, por dikush duhet të llogarisë edhe çmimin që paguan një brez fëmijësh për humbjen e arsimit dhe socializimit.
Prandaj shëndeti publik është pikërisht në kryqëzimin midis mjekësisë, epidemiologjisë, ekonomisë, sociologjisë, etikës, politikës, etj.
Dhe aty vendimet nuk mund të jenë bardhë e zi.
Kjo duhet të ishte në fakt arsyeja kryesore për të cilën Amerika dhe Komiteti i Senatit të merrnin në pyetje Dr. Anthony Faucin.
Jo për të provuar se ai krijoi virusin, organizoi pandeminë apo drejtoi një përbetim botëror, por për të pyetur nëse rekomandimet e dhëna nga organizata që ai drejtonte ishin proporcionale me riskun, nëse pasiguritë shkencore iu komunikuan publikut me ndershmëri apo nëse politikat u ndryshuan aq shpejt sa duhej kur ndryshuan faktet.
Dhe analiza nuk duhet të kufizohet tek Fauci. Duhet të analizohen edhe CDC-ja, FDA-ja dhe OBSH-ja, qeveritë dhe komitetet e ekspertëve, duhen analizuar vendimet politike të marra në gjithë botën.
Sepse të pranosh se gjatë pandemisë janë bërë gabime nuk do të thotë të pranosh se pandemia ishte një komplot. Ashtu sikundër të pranosh se vaksinat shpëtuan jetë nuk do të thotë të pretendosh se çdo vendim mbi vaksinimin ishte domosdoshmërisht i drejtë.
Ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm që duhet të nxjerrim nga COVID-i.
Shkenca duhet të ketë kurajën të thotë “nuk e dimë”, institucionet duhet të kenë kurajën të thonë “gabuam” dhe politika duhet të ketë kurajën të ndryshojë kurs kur ndryshojnë faktet.
Kjo do të rivendosë edhe marrëdhënien e thyer me publikun dhe do të ketë rol kyç në rifitimin e një besimi tashmë të dëmtuar. Një analizë e ndershme, e motivuar nga shkenca dhe jo nga politika, është thelbësore për të rikthyer besimin tek mjeku, tek institucionet, tek vaksinat, kimioterapia dhe shkenca mjekësore në përgjithësi.
Sepse mosdhënia e përgjigjeve ndaj këtyre shqetësimeve dëmton jo vetëm besueshmërinë e institucioneve, por krijon pikërisht terrenin ku mbijnë dhe lulëzojnë teoritë konspirative. Çdo pyetje legjitime që lihet pa përgjigje, çdo gabim që mohohet dhe çdo përgjegjësi që shmanget, i dhuron konspiracionistit një argument më shumë për të bindur publikun se shkenca ka diçka për të fshehur.
Sepse gabimet e pandemisë së kaluar nuk mund t’i korrigjojmë më, por mund të sigurohemi që të mos i përsërisim në pandeminë e ardhshme./kb
