Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.
Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.
Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.
Temperaturat po rriten
Matjet nga viti 2016 deri më 2025 në gjashtë stacione meteorologjike – Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Prishtinë, Junik, Prizren dhe Pejë – tregojnë një rritje mesatare të temperaturës prej 0.55 gradë Celsius.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperatura mesatare vjetore në Kosovë ishte 11.87 gradë Celsius në vitin 2016, ndërsa në vitin 2025 ishte 12.42 gradë.
Brenda kësaj dekade, viti më i ftohtë ishte 2016, ndërsa më i ngrohti ishte 2024, me temperaturë mesatare prej 13.18 gradësh.
Besim Aliu, zyrtar për meteorologji në IHMK, thotë për Radion Evropa e Lirë se matjet në gjashtë stacionet meteorologjike tregojnë rritje të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës.
Sipas tij, gjatë kësaj dekade temperatura mesatare është rritur për 1.06 gradë në Ferizaj, 0.90 gradë në Mitrovicën e Jugut dhe 0.89 gradë në Prishtinë. Në Junik, Prizren dhe Pejë janë shënuar “rritje më të vogla dhe jo statistikisht të sigurta, për shkak se variojnë vit për vit”.
Ndikimi në bujqësi
Në një raport të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) në maj, thuhet se ndikimet klimatike në Kosovë shihen përmes rënies së rendimenteve të të korrave, rritjes së stresit mbi bagëtinë dhe dëmtimit të të korrave dhe infrastrukturës nga ngjarjet më të shpeshta dhe intensive klimatike.
Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshimet klimatike dhe moti i paparashikueshëm po prekin si kulturat e mbjella në vjeshtë, ashtu edhe ato të mbjella në pranverë.
“Gjithmonë i kemi në rrezik kulturat bujqësore, që mbillen në vjeshtë, nga reshjet intensive dhe vërshimet e papritura. Edhe kulturat pranverore po ashtu sulmohen, posaçërisht nga thatësia e madhe”, tregon Rusinovci për Radion Evropa e Lirë.
Kulturat që mbillen në vjeshtë përfshijnë grurin, elbin, thekrën, tërshërën dhe përzierjet foragjere, ndërsa në pranverë mbillen misri, patatja, fasulja, luledielli, soja dhe shumica e perimeve, si specat, domatet e trangujt, si dhe shalqiri, pjepri e kungulli.
Sipas Rusinovcit, fermerët duhet t’i përshtatin kulturat dhe varietetet me kushtet klimatike dhe lartësinë mbidetare.
Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, temperaturat janë më të ulëta dhe vegjetacioni i të mbjellave mund të vonohet për rreth një muaj, ndërsa në rajonet më të ulëta rritet rreziku nga thatësira./mxh
