Më 26 gusht 1910 u lind në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhi
Nga Leonard Veizi
Në historinë e njerëzimit, rrallë shfaqen figura që nuk lënë pas vetëm një emër, por edhe një standard moral me të cilin brezat matin ndërgjegjen e tyre. Një prej tyre është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu…
E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare katolike – Nikollë e Drane Bojaxhiu – me emrin Anjezë Gonxhe, ajo do të bëhej simbol universal. Pa pushtet politik, pa pasuri, pa ushtri. Vetëm me atë që bota e sotme ka harruar më shumë: një zemër që ndjen dhe dy duar që shërbejnë.
Në një kohë kur bota po mësonte të fluturonte më shpejt, ajo zgjodhi të zbriste më poshtë. Aty ku askush nuk donte të shikonte. Në rrugët e Kalkutës. Te lebrozët, te foshnjat e braktisura në kosh plehrash, te njerëzit që vdisnin në trotuar pa emër.
Ajo e dha vetë përkufizimin më tronditës të varfërisë së re: “Varfëria më e madhe nuk është mungesa e bukës, por ndjenja se je i padëshiruar, i padashtur, i harruar.” Dhe kjo nuk ishte varfëri indiane. Është varfëria e sotme perëndimore. Është varfëria jonë.
Jeta e saj nuk ishte kartolinë. Letrat e saj, të publikuara pas vdekjes, dëshmojnë një natë të gjatë shpirtërore, dyshime, thatësi, vetmi. Dhe pikërisht kjo e bën më të besueshme dhe më të madhe: shenjtëria e saj nuk ishte eufori, ishte vendim. Çdo mëngjes, për 50 vjet, zgjodhi të donte përsëri.
Ky është revolucioni i saj i heshtur. Në një botë që mat madhështinë me sa ke, ajo e mati me sa jep. Në një botë që adhuron zhurmën, ajo bëri fuqi heshtjen. Në një botë që shet veten, ajo u bë e të tjerëve.
Shqiptarja që bota na e mori borxh
Anjeza u largua 18-vjeçe nga shtëpia për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë dhe prej andej në Indi si mësuese gjeografie. Thyerja ndodhi në trenin për Darjeeling, më 10 shtator 1946. Ajo që Kisha e njeh si “thirrja brenda thirrjes”: lër mësuesen, shko e jeto me më të varfrit e të varfërve.
Më 7 tetor 1950, me lejen e Vatikanit, themelon Misionaret e Bamirësisë. Fillojnë me 12 motra në një shtëpi me qira. Sot janë mbi 5 mijë motra në 139 vende.
Më 1979 merr Çmimin Nobel për Paqen. Dhe bën gjestin që e përmbledh të tërën: anulon banketin zyrtar prej 192 mijë dollarësh dhe kërkon që paratë t’u jepen të uriturve. I thotë botës: nuk mund të flasësh për të varfrit duke ngrënë në kristale.
Ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. U varros me nderime shtetërore nga India, një vend me shumicë hindu, për një murgeshë katolike shqiptare. Kjo foto e vetme tregon më shumë se çdo enciklikë për universalitetin e saj. U shpall e lume më 19 tetor 2003 nga Gjon Pali II dhe shenjtore më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si Shën Tereza e Kalkutës.
Çfarë na mbetet ne?
Paradoksi i madh shqiptar është ky: i dhamë botës shenjtore dhe vazhdojmë të sillemi si popull që ka nevojë për misionarë.
E kemi kthyer në statuja, në emër aeroporti, në kartëvizitë krenarie kombëtare, por shumë pak në model. Nënë Tereza nuk është për t’u mburrur. Është për t’u ndjekur. Ajo nuk na pyet sa krenarë jemi që ishte shqiptare. Na pyet sa shqiptarë janë sot të gatshëm të bëjnë punën që bëri ajo: të duan pa kushte, aty ku nuk ka interes.
Trashëgimia e saj nuk janë ndërtesat e Misionareve. Është një fjali që rrëzon gjithë filozofinë e suksesit të Instagramit: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Në kohën e zhurmës kolosale, kjo është gjëja më subversive që mund të thuhet.
