Britney Spears ka ndarë një tjetër rrëfim të sinqertë për periudhën e vështirë të jetës së saj, duke treguar se sa e rëndë ishte për të të përballej me njerëzit dhe të performonte gjatë viteve kur ishte nën kujdestari ligjore.
Në një video të publikuar në Instagram më 27 gusht, këngëtarja 44-vjeçare foli për ndryshimet që ka pësuar ndër vite dhe për mënyrën se si dikur e kishte jashtëzakonisht të vështirë të qëndronte përballë turmave.
Spears kujtoi ditët e para të karrierës, kur takimet me fansat i shkaktonin ankth të fortë. Ajo tha se, nëse duhej të takonte më shumë se 10 persona, fillonte të dridhej dhe i shfaqeshin vështirësi në frymëmarrje.
Sipas saj, babai i saj, Jamie Spears, i cili kishte një rol kryesor në kujdestarinë ligjore që zgjati rreth 13 vite, e detyronte të merrte pjesë në takime me rreth 70 persona. Për këngëtaren, këto situata ishin aq të vështira sa ajo pretendon se filloi të ndihej e shkëputur emocionalisht nga vetja.
“Kur punoja me Felicia në fillimet e karrierës sime, më zinte astma dhe filloja të dridhesha nëse duhej të takoja më shumë se 10 persona. Ajo mund ta shihte në sytë e mi sa e frikësuar isha”, tregoi Spears.
Ajo shtoi se presioni për të përballuar turma shumë më të mëdha e bëri të ndihej “si një robot” dhe se kjo ndikoi në mënyrën se si lidhej me njerëzit.
“Më humbi ndjeshmëria e shpirtit tim dhe kjo më dhembte vërtet. Ndihesha si një robot, si një makinë”, u shpreh ajo.
Spears pranoi gjithashtu se, pavarësisht imazhit të saj si një artiste e sigurt në skenë, në jetën reale ka qenë gjithmonë një person shumë i ndjeshëm dhe i turpshëm.
“Më mungon lidhja e vërtetë që dikur kisha me njerëzit. Në fshehtësi kam qenë gjithmonë shumë e ndjeshme dhe jashtëzakonisht e turpshme”, shkroi këngëtarja.
Duke reflektuar mbi të kaluarën, Spears tha se ndihet krenare që arriti t’i japë fund një periudhe që, sipas saj, e kishte detyruar të jetonte dhe të sillej në mënyra që nuk i dëshironte.
“Falë Zotit që mbaroi”, përfundoi ajo./mxh
