Doja Cat ka vendosur të flasë pa filtra për një periudhë të vështirë të jetës së saj, duke ndarë me ndjekësit detaje për marrëdhënien që ka pasur me substancat dhe alkoolin.
Në një video të publikuar në TikTok, këngëtarja amerikane, emri i vërtetë i së cilës është Amala Ratna Zandile Dlamini, pranoi se rreth tetë vite më parë kishte përjetuar probleme me përdorimin e kokainës.
“Do të bëj një deklaratë që nuk dua ta bëj. Kam pasur probleme me kokainën, ndoshta rreth tetë vite më parë”, tha ajo.
Megjithatë, artistja bëri të qartë se ajo periudhë ka mbetur pas dhe se sot nuk e konsideron më veten pjesë të asaj situate.
“Por tashmë e kam lënë shumë pas. Falë Zotit”, u shpreh Doja Cat.
Në një tjetër video, ajo foli më gjatë për alkoolin dhe mënyrën se si konsumimi i tij ndikonte në gjendjen e saj emocionale dhe në sjelljen e saj në internet.
Sipas këngëtares, në momente të tilla ajo kishte tendencën të kërkonte në internet gjëra që ushqenin pasiguritë dhe mendimet negative që kishte për veten.
“Po e përdorja internetin si një mënyrë për të gjetur konfirmim për mendimet negative që kisha në kokë, dhe këto mendime nxiteshin më pas nga konsumimi i alkoolit”, rrëfeu ajo.
Doja Cat sqaroi gjithashtu se, përveç kanabisit, nuk e konsideron veten se ka pasur një varësi të mirëfilltë nga droga të tjera. Sipas saj, problemi më i madh ka qenë raporti me alkoolin.
“Nuk kam pasur kurrë një problem të vërtetë me drogat, përveç barit, por alkooli është diçka me të cilën definitivisht kam pasur probleme. Nuk kam qenë kurrë alkoolike, por kam pasur probleme”, deklaroi ajo.
Duke reflektuar mbi atë periudhë, këngëtarja u përpoq ta kthente përvojën personale në një këshillë për të tjerët. Ajo paralajmëroi veçanërisht për kombinimin e alkoolit me përdorimin e internetit në momente kur një person është emocionalisht i brishtë.
“mund t’i mësoj dikujt diçka nga përvoja ime, do t’i thosha se nuk është mirë t’i bashkosh këto dy gjëra”, përfundoi ajo./mxh
