Joshua Uong, një nga simbolet më të njohura të lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, tha se pranon fajësinë për akuzën e “bashkëpunimit me forca të huaja”, në një përpjekje për të shmangur një dënim edhe më të rëndë, që sipas Ligjit të Sigurisë Kombëtare mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm.
Uong, i cili u bë i famshëm në moshën vetëm 17-vjeçare gjatë protestave të vitit 2014, ndodhet aktualisht në burgun e sigurisë së lartë Stanley. Ai po vuan një dënim prej pesë vitesh për pjesëmarrjen në një komplot të cilësuar nga autoritetet si përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues. Dënimi i tij i parë pritej të përfundonte në janar të vitit të ardhshëm, por ndërkohë ndaj tij është ngritur një tjetër çështje penale.
Në Gjykatën e Lartë të Hong Kongut, Uong pranoi fajësinë për akuzën e re, e cila lidhet me aktivitetet e tij për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për kauzën demokratike të Hong Kongut. Sipas aktakuzës, ai kishte nisur që në vitin 2016 të ndërtonte një strategji për të kërkuar mbështetje të huaj, ndërsa në vitin 2019 u kishte bërë thirrje disa vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, të vendosnin sanksione ose masa të tjera ekonomike ndaj Hong Kongut dhe Kinës.
Ligji i Sigurisë Kombëtare, i vendosur nga Pekini në vitin 2020, parashikon dënime shumë të ashpra për raste të tilla. Për veprën për të cilën Uong akuzohet, dënimi mund të jetë të paktën 10 vite burg dhe, në rastet e konsideruara veçanërisht të rënda, burgim i përjetshëm.
Avokati i Uongut, Derek Chan, kërkoi që gjykata të mos aplikojë dënimin maksimal. Ai theksoi se kanë kaluar vite nga ngjarjet për të cilat klienti i tij akuzohet dhe kërkoi që të merreshin parasysh edhe rrethanat njerëzore të tij, duke i dhënë “shpresë për të ardhmen”.
Në burg, sipas mbështetësve të tij, Uong ka vazhduar të studiojë dhe të lexojë. Ai ndjek kurse universitare, mëson kitarën dhe përpiqet të ndjekë zhvillimet në botë, ndërsa prej vitesh ndodhet pas hekurave.
Uong u shndërrua në figurë ndërkombëtare gjatë “Revolucionit të Çadrave” të vitit 2014, kur mijëra qytetarë të Hong Kongut pushtuan rrugët për 79 ditë, duke kërkuar zgjedhje më demokratike. Ai ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes, e cila u konsiderua sfida më e madhe ndaj autoriteteve kineze në Hong Kong që prej protestave të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.
Pas vendosjes së Ligjit të Sigurisë Kombëtare, hapësira për opozitën dhe protestat në Hong Kong u ngushtua ndjeshëm. Në janar 2021, Uong u arrestua së bashku me dhjetëra politikanë dhe aktivistë të opozitës në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i 47-ve”. Ai u dënua me pesë vite burg për pjesëmarrjen në zgjedhjet paraprake të opozitës të vitit 2020.
Tani, ndërsa ndodhet ende në burg, Uong përballet me një tjetër dënim. Gjykata pritet të vendosë më vonë masën e dënimit, ndërsa deklarimi i fajësisë shihet si përpjekje për të shmangur skenarin më të rëndë.
Në të njëjtin burg ndodhet edhe Jimmy Lai, një tjetër figurë e njohur e kampit demokratik të Hong Kongut. Rasti i Uongut është bërë një tjetër simbol i goditjes së lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Pekinit.
Pavarësisht viteve të burgimit, Uong ka mbrojtur publikisht idenë se e ardhmja e Hong Kongut duhet të vendoset nga banorët e tij dhe jo nga Partia Komuniste Kineze./mxh
