Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Fjalimi i Mark Antonit mbi trupin e Cezarit në tragjedinë “Jul Cezari” të Shekspirit është një nga kulmet më të njohura të letërsisë botërore dhe një shembull mjeshtëror i fuqisë së fjalës. Ai ndodh pas vrasjes së Cezarit nga komplotistët, të cilët e justifikojnë veprimin si një akt për të shpëtuar Republikën nga tirania. Fillimisht populli është në anën e Brutit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por Mark Antoni, me zgjuarsi retorike, arrin ta kthejë turmën kundër tyre.

O miq, qytetarë, Romanë, më dëgjoni!
Vinj ta varros, jo ta lëvdonj Qesarin
E keqja që ka bërë çdo njeriu i mbetet.
E mira i mbulohet shpesh në varr me koskat.
Në shqip ky monolog ka ardhur nëpërmjet shqiperimit mjeshteror të Fan Nolit, i cili e solli Shekspirin në gjuhën shqipe me një forcë të papërsëritshme poetike dhe ritmike. Për shumë lexues shqiptarë, pikërisht përkthimi i Nolit është bërë versioni “kanonik” i këtij fjalimi.
Ashtu i qoftë dhe Qesarit. Trimi Brut
Ju tha tani, Qesari qe ambicioz.
Në paska qen’ ashtu, qe faj i rëndë shumë
Dhe rëndë shumë e pagoj Qesari.
Këtu, pas lejes Brutit e të tjerëve, –
Se Bruti është burr’ i nderçim,
Të nderçim janë që të gjithë, ay dhe shokët,

Thelbi i fjalimit
Ironia e përsëritur – Anton përdor vazhdimisht shprehjen “Bruti është burrë nderi” apo “Brutus is an honourable man” në orgjinal, me një ton që fillimisht duket i sinqertë, por më pas merr ngjyrime ironike. Me këtë, ai mbjell dyshime tek populli pa e akuzuar drejtpërdrejt Brutin.
Ashtu i qoftë dhe Qesarit. Trimi Brut
Ju tha tani, Qesari qe ambicioz.
Në paska qen’ ashtu, qe faj i rëndë shumë
Dhe rëndë shumë e pagoj Qesari.
Këtu, pas lejes Brutit e të tjerëve, –
Se Bruti është burr’ i nderçim,
Të nderçim janë që të gjithë, ay dhe shokët,
Manipulimi emocional – ai përshkruan veprat e Cezarit në të mirë të Romës: se refuzoi kurorën, se solli pasuri për qytetarët, se nuk ishte tiran. Kështu, e kundërshton, pa e thënë hapur, arsyetimin e komplotistëve.
Qesari qante kur thërrisnin të vobektët.
Ambicia duhej t’ish me zemër më të ashpër.
Po Bruti thotë, qe ambicios,
Dhe Bruti është burr’ i nderçim.
Përdorimi i pathosit – ai tregon plagët e trupit të Cezarit, duke i personalizuar secilën si “gojë” që flet kundër tradhtarëve. Kulmi është kur përmend tradhtinë e Brutit, mikut të ngushtë, si plagën më të thellë.
E patë që të gjithë se në Luperkalet
Tri her’ i dhashë një kurorë mbretërore
Edhe tri her’ e hodhi poshtë; qe ambicje kjo?
Po Bruti prapë thotë, qe ambicios,
Dhe është, pa dyshim, një burrë i nderçim.
Dëshmia materiale – nxjerr testamentin e Cezarit, ku ai lë dhurata për popullin e Romës. Kjo i ndez turmat, sepse tregon se Cezari mendonte për ta edhe pas vdekjes.
S’dua të kundërshtoj ato që foli Bruti,
Po s’munt t’ju flas përveç ato që di.
Një her’ e deshtë që të gjithë, – jo pa shkak;
Përse tani s’ju vjen asfare keq për të?
Nër egërsirat paske ikur, o gjykim,
Dhe njerëzit e paskan humbur arsyen!
Duroni pak, se e kam zemrën te Qesari,
Aty, dhe pres sa të më kthehet prapë.
Shndërrimi i turmës – me një gjuhë që fillon e butë dhe e përmbajtur, Anton i ndez qytetarët nga pikëllimi në zemërim, duke i kthyer kundër komplotistëve. Nga “popull i bindur” ata shndërrohen në turmë të egërsuar që shpërthen në revoltë.
E vutë re seç tha? E hodhi tej kurorën;
Ahere pa dyshim nuk ish ambicios.
Gjer djethinaj një fjal’ e Jul Qesarit
I bënte ballë botës; ja tani ku dergjet
Dhe s’ka njeri të vogël mjaft sa ta nderonjë.
Mesazhi i Shekspirit
Fjala, kur përdoret me mjeshtëri, është më e fortë se shpata. Shkalla e manipulimit të opinionit publik është e jashtëzakonshme; turmat mund të drejtohen nga retorika dhe emocionet, jo nga arsyetimi logjik. Edhe një kauzë e drejtë (ruajtja e Republikës) mund të rrëzohet nëse nuk shoqërohet me aftësi komunikimi.
O shokë, po të desha, munt t’ju ndisja zemrat
Sa t’ju tërboja e të bënit kryengritje,
Po do ta dëmtoja Brutin dhe Kasin,-
Që janë, siç e dini, njers të nderçim. –
S’dua ta bënj: më mirë i bëj dëm
Të vdekurit e vetes sim’ e juve
Se sa këtyre njerësve të nderçim.
Shekspiri na tregon se pushteti politik nuk qëndron vetëm tek akti (vrasja e Cezarit), por tek narrativa që krijohet mbi atë akt. Pra, përmes fjalimit të Mark Antonit, Shekspiri flet për forcën e retorikës, manipulimin politik dhe paqëndrueshmërinë e turmave, duke na paralajmëruar për natyrën e brishtë të demokracisë.
Po ja një pergamenë me vulën e Qesarit!
Ia gjeta në sëndyq; kjo është dhjat’ e tij.
Po ta dëgjoni, qytetarë, këtë dhjatë, –
Që s’kam nër mënt t’jua këndonj, më ndjeni, –
Qesarit vdekur do t’ia puthnit plagët,
Në gjak të tij do ngjyenit shamitë;
Do lypnit për kujtim makar një qime
Dhe kur të vdisnit do t’ua linit djemve
Me testament si trashëgim të pasur.
Shqipërimi
Noli arriti të ruajë jo vetëm peshën e fjalës dhe ironinë therëse, por edhe muzikalitetin dramatik që ndez turmën, ashtu si te origjinali. Për shembull, refreni i famshëm “Bruti është burrë nderi” në përkthimin e Nolit merr një ngarkesë të madhe ironike, duke tingëlluar sa solemne, aq edhe tallëse, sipas kontekstit të çdo rreshti.
Në duart e Nolit, ky monolog nuk është thjesht një tekst i përkthyer, por një kryevepër letrare, që ka frymëzuar breza aktorësh e lexuesish. Madje, shumëkush thotë se ky është ndër rastet ku përkthimi arrin fuqinë e origjinalit.
