Kur Dante Alighieri shkroi vargjet e famshme të Infernos për humbjen e rrugës në mes të udhëtimit të jetës, ishte 35 vjeç. Shekuj më vonë, psikologu Elliott Jaques do ta përdorte pothuajse të njëjtën ide për të përshkruar atë që ai e quajti “kriza e moshës së mesme”. Sipas tij, rreth të 35-ave njeriu fillon të kuptojë se një pjesë e jetës tashmë ka kaluar dhe se koha përpara nuk duket më e pafundme.
Sot, kjo ndjesi duket se po rikthehet në një formë tjetër. Për shumë njerëz, mosha 35 apo 40 vjeç është momenti kur fillojnë pyetjet që deri atëherë mund të jenë shtyrë: A jam aty ku doja të isha? A më pëlqen jeta që kam ndërtuar? Çfarë do të pendohesha nëse nuk do ta bëja? Dhe ndryshe nga klishetë e vjetra për krizën e moshës së mesme, si divorci i papritur, makina sportive apo një jetë e re nga e para, sot kjo periudhë po përjetohet shpesh në mënyrë më të brendshme.
Një sondazh i përmendur në artikull, me 150 gra, tregoi se pothuajse 75% kishin menduar në një moment të “shpërthenin” jetën e tyre aktuale dhe të nisnin nga e para. Megjithatë, vetëm rreth 10% deri në 20% e njerëzve raportojnë një përvojë që arrin nivelin klinik të një krize të vërtetë të moshës së mesme. Pra, për shumicën, bëhet më shumë fjalë për një periudhë rishikimi dhe jo për një krizë në kuptimin tradicional.
Mosha e krizës po shtyhet
Jaques e vendoste krizën rreth moshës 35 vjeç. Sot, ajo duket se po zhvendoset më shumë drejt të 40-ave. Një arsye është edhe fakti se njerëzit jetojnë më gjatë. Në SHBA, jetëgjatësia mesatare është rreth 81.4 vjet për gratë dhe 76.5 për burrat. Kur horizonti i jetës zgjatet, edhe pyetja “çfarë bëj me pjesën tjetër?” merr një kuptim tjetër. Brezi millennial po hyn tashmë në të 40-at dhe po përballet me versionin e vet të këtij “pylli të errët”: një periudhë ku karriera, marrëdhëniet, familja dhe identiteti personal fillojnë të rivlerësohen.
Dhe rreth krizës është krijuar një ekonomi e tërë
Sapo një ndjesi merr një emër, tregu zakonisht gjen mënyrën për ta shitur edhe “zgjidhjen”. Rreth krizës së moshës së mesme është ndërtuar sot një industri e tërë: trajtime estetike, coaching, konsulencë karriere, planifikim financiar, këshillim për “aktin e dytë” të jetës dhe një mori shërbimesh që premtojnë një version më të ri, më të mirë apo më të plotë të vetes. Vetëm tregu global i produkteve kozmetike anti-aging vlerësohej në rreth 55 miliardë dollarë në vitin 2025.
Por autorët dhe studiuesit që citohet artikulli argumentojnë se kjo mund ta fshehë thelbin e vërtetë të kësaj periudhe. Veprimet dramatike, blerjet impulsive apo vendimet e papritura nuk janë gjithmonë vetë “kriza”. Në disa raste, ato mund të jenë një mënyrë për të shmangur pyetjet më të vështira: kush jam tani dhe çfarë dua nga pjesa tjetër e jetës?
Ndoshta nuk është krizë, por një kthesë në histori
Kjo është arsyeja pse disa autorë propozojnë një term më pak dramatik. Në vend të “midlife crisis”, ata preferojnë ta përshkruajnë si një “plot twist”, një kthesë të papritur në historinë personale. Ideja është interesante, sepse e zhvendos vëmendjen nga frika te mundësia.
Në vend që të shohim moshën e mesme si fillimin e rënies, mund ta shohim si një moment kur njeriu fiton mjaftueshëm përvojë për të kuptuar çfarë nuk funksionon më dhe mjaftueshëm kohë për ta ndryshuar. Në fund, pyetja nuk është domosdoshmërisht “A po kaloj një krizë?” Mund të jetë diçka më e dobishme:
Nëse do ta nisja sot pjesën e dytë të jetës sime, çfarë do të bëja ndryshe?/ad
