Pas një mungese prej 14 vitesh, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rikthyer në Tiranë me edicionin e 14-të, duke bërë bashkë aktorë, regjisorë dhe kineastë nga breza të ndryshëm. Ceremonia e hapjes u shoqërua me emocione dhe momente vlerësimi për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare.
Gjatë mbrëmjes u ndanë Çmimet e Karrierës për emra të njohur si Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro dhe personalitete të tjera të artit shqiptar, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre ndër vite.
Ceremonia nuk kaloi pa një incident. Për pak sekonda, gjatë një momenti të programit, në vend të fotos së regjisores Xhanfize Keko u shfaq në ekran fotografia e poetes Natasha Lako. Pas lapsusit, drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka, kërkoi ndjesë publike.
Pas këtij momenti, regjisori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, Natasha Lako, shprehën pakënaqësinë përmes një statusi publik, ku e cilësuan festivalin me fjalët “obobo, kjo mynxyrë”, ndërsa kundërshtuan edhe vendimin për ndarjen e 16 Çmimeve të Karrierës.
Pavarësisht debatit, festivali ka vijuar me pjesëmarrje të lartë të artistëve dhe publikut. Programi përfshin shfaqje filmash, diskutime dhe takime mes brezave të kinemasë shqiptare./KM
