Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit institucionale për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e cilësuar situatën si një tjetër tregues të deformimit të sistemit të drejtësisë.
Në një deklaratë të gjatë, Spaho rikthen në vëmendje debatin për pagat e sistemit të drejtësisë dhe kritikon qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, ka menaxhuar çështjen, ndërsa akuzon drejtuesit e institucioneve të drejtësisë se kanë vendosur vetë nivelin e pagave që kërkojnë të përfitojnë.
“Disa kohë më parë, nisur nga zhvillimet në sistemin e drejtësisë për pagat, përdora një term vulgar për të përshkruar shtetin që kemi ndërtuar: shteti i leshit”, shprehet Spaho.
Sipas tij, zhvillimet e fundit e bëjnë situatën edhe më problematike, pasi, në vlerësimin e tij, institucionet e drejtësisë po përplasen me pjesë të tjera të shtetit për çështjen e pagave.
Spaho argumenton se kriza mund të ishte shmangur nëse qeveria do të kishte ndërmarrë në kohë një proces të plotë ligjor dhe institucional për rishikimin e pagave.
“E gjithë kjo zallamahi e ditëve të fundit do të ishte lehtësisht e menaxhueshme, nëse nuk do të kishim në krye një qeveri kaq arrogante dhe të papërgjegjshme”, deklaron ai.
Spaho: Pagat e drejtësisë u nxorën jashtë piramidës së pagave
Duke iu referuar reformës në drejtësi, Spaho kujton se në vitin 2016 pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u trajtuan si një kategori e veçantë, jashtë piramidës së përgjithshme të pagave në administratën publike.
Sipas tij, kjo u bë për shkak të nivelit të ulët të pagave në Shqipëri dhe me synimin për të garantuar një mbrojtje më të madhe financiare për gjyqtarët dhe prokurorët ndaj ndikimeve korruptive.
Spaho thotë se ky mekanizëm solli një situatë ku pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të institucioneve të posaçme të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe GJKKO, u vendosën mbi pagat e disa prej funksioneve më të larta shtetërore.
Sipas shifrave të paraqitura prej tij, pas rritjeve të vitit 2023, paga bruto e një gjyqtari të Shkallës së Parë është rreth 376 mijë lekë, ndërsa për një gjyqtar të Shkallës së Dytë rreth 389 mijë lekë.
Për një gjyqtar të grupit III në GJKKO, Spaho referon një pagë prej rreth 660 mijë lekësh.
Ndërkohë, sipas shifrave të publikuara në deklaratën e tij, kërkesat për pagat e reja shkojnë në rreth 567 mijë lekë për gjyqtarët e Shkallës së Parë, rreth 586 mijë lekë për ata të Shkallës së Dytë dhe rreth 995 mijë lekë për gjyqtarët e grupit III në GJKKO.
“Kërkojnë paga deri në 3 herë më të larta se deputetët”
Spaho e vendos këtë debat përballë pagave të funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit.
Ai deklaron se paga bruto e një deputeti është rreth 310 mijë lekë, ndërsa paga e Presidentit të Republikës rreth 435.621 lekë.
“Gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të përgjithshëm të drejtësisë kërkojnë të kenë pagën 1.83 herë më të lartë se deputetët dhe 1.3 herë më të lartë se Presidenti, kurse gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK dhe GJKKO ta kenë pagën 3 herë më të lartë se deputetët dhe 2.3 herë më të lartë se Presidenti i Republikës”, shprehet Spaho.
Ai kritikon gjithashtu Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke pretenduar se këto institucione kanë marrë vendime për nivelin e pagave pa një bazë të mjaftueshme ligjore.
“Ankohen te gjyqtarët dhe prokurorët”
Një tjetër pikë e kritikës së Spahos lidhet me paralajmërimet për pezullimin e punës në gjykata nëse kërkesat për pagat nuk plotësohen.
Ai e cilëson situatën si një përplasje institucionale të pazakontë, duke argumentuar se gjyqtarët dhe prokurorët po kërkojnë zgjidhje për pagat e tyre përmes institucioneve të vetë sistemit të drejtësisë.
“Dhe ku janë ankuar? As më shumë e as më pak, por te gjyqtarët dhe prokurorët… alias te vetja e tyre”, deklaron Spaho.
Në vijim, ai ngre pyetjen nëse Shqipëria po shkon drejt një sistemi ku pushteti gjyqësor fiton një peshë të pakontrolluar mbi institucionet e tjera.
“A nuk kam të drejtë në këtë rast ta quaj shtetin shqiptar shtet leshi, kurse Republikën tonë Republikë të Gjykatësve dhe Prokurorëve?”, shprehet ai.
Apel opozitës: Mos mbështesni një kosto prej 40 milionë eurosh
Në fund të deklaratës së tij, Spaho u drejtohet edhe kolegëve të opozitës, duke i paralajmëruar që të mos mbështesin kërkesat për rritjen e pagave vetëm për shkak të përplasjes politike me qeverinë.
Sipas tij, rritja e kërkuar do të sillte një kosto shtesë prej rreth 40 milionë eurosh në vit për buxhetin e shtetit.
“Ju jeni sot në opozitë, por është jashtë logjikës politike të dilni në krah të kësaj çmendurie me kosto shtesë 40 milionë euro në vit vetëm e vetëm se jeni kundërshtarë të mazhorancës”, deklaron Spaho.
Ai e mbyll reagimin me një paralajmërim politik, duke thënë se qytetarët do të gjykojnë të gjithë ata që, sipas tij, janë përfshirë në këtë debat.
“Qytetarët e vendit po ju ndjekin dhe do t’i japin atë që meriton kujtdo të përfshirë në këtë çmenduri shqiptare”, përfundon Edmond Spaho./ad
