Ish-deputeti Edmond Spaho ka reaguar për debatet dhe protestat kundër ndërtimit të muzeut të hebrenjve në Vlorë, duke e cilësuar këtë nismë si të lavdërueshme dhe me vlerë për historinë e qytetit dhe të Shqipërisë.
Në një reagim të publikuar së fundmi, Spaho shprehet se fillimisht nuk kishte dashur të shkruante për këtë çështje, pasi disa të njohur të tij nuk e kishin parë pozitivisht nismën. Megjithatë, ai thotë se situata ka ndryshuar, pasi tashmë po organizohen protesta kundër muzeut dhe ndërtimi i tij po konsiderohet si “çmenduri”.
“Ne të vërtetë të çmendur dhe islamofobë duhet të quhen ata të cilët po i kundërvihen kësaj iniciative shumë të lavdërueshme që i bën nder vlonjatëve dhe shqiptarëve”, shkruan Spaho.
Sipas tij, Vlora është një nga qytetet-port të Evropës ku hebrenjtë gjetën strehë shekuj më parë, ashtu si në Selanik, Spanjë dhe vende të tjera. Për këtë arsye, ai argumenton se muzeu nuk përbën turp për qytetin, por është një nder që do të pasqyrojë historinë e përbashkët të hebrenjve dhe shqiptarëve.
Spaho thekson se, ndryshe nga shumë qytete të tjera evropiane ku u vendosën hebrenjtë, në Vlorë dhe në Shqipëri ata u mirëpritën, nuk u përballën me urrejtje të organizuar dhe bashkëjetuan në paqe me popullsinë vendase.
“Ne mburremi që në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore pati më shumë hebrenj se para luftës dhe Vlora ka kontributin e saj të qenësishëm”, shprehet ai.
Duke iu drejtuar kundërshtarëve të projektit, ish-deputeti pyet se çfarë i shqetëson në ndërtimin e muzeut dhe nëse kjo nismë bie ndesh me vlerat e shoqërisë vlonjate apo shqiptare.
Ai kundërshton gjithashtu pretendimet se Izraeli ka blerë Vlorën apo se në qytet do të vendosen koloni hebraike, duke i cilësuar këto si “marrëzira”.
Në pjesën tjetër të reagimit, Spaho ndalet te orientimi ndërkombëtar i Shqipërisë. Ai shprehet se vendi duhet të ketë sa më shumë aleatë, duke përmendur SHBA-në, Bashkimin Evropian, Izraelin, Turqinë dhe vende të tjera.
“Shqipëria nuk është Lindje e Mesme, ne kemi nevojë për sa më shumë aleatë si SHBA, BE, Izrael, Turqi dhe vende të tjera të cilat, si vend i vogël që jemi, të na gjenden në ditë të vështira”, shkruan Spaho.
Ai argumenton se bota nuk karakterizohet vetëm nga paqja, por edhe nga luftërat, ndaj sipas tij Shqipëria duhet të ruajë marrëdhënie të forta me aleatët që i ka provuar historia.
Në përfundim, Spaho shprehet se Shqipëria duhet të qëndrojë në krah të demokracisë dhe jo të atyre që, sipas tij, kërkojnë zhdukjen e një shteti për të ngritur një tjetër./ad
