Nga Leonard Veizi
Nga koha e “nallbanit” e deri te “make-up artisti”, Shqipëria ka bërë një udhëtim marramendës jo vetëm në politikë e ekonomi, por edhe në mënyrën se si ka vendosur ta gënjejë veten me emrat e punëve. Fjalët e dikurshme, të thjeshta, shqip dhe të ndershme, sot janë zëvendësuar me terma importi që tingëllojnë më modernë, më elegantë dhe shpesh herë, më qesharakë. E vërteta është e thjeshtë: në Shqipëri profesionet nuk zhduken kurrë – zhduket vetëm fjala që i quan. Dhe kur fjalën e varfër e zëvendëson me një etiketë më të zhurmshme, të krijohet iluzioni se edhe puna vetë është ngritur në detyrë.
Prologu i turpit tonë modern
Kohët ndryshojnë, por kompleksi mbetet po ai: shqiptari ka një etje të pashuar për t’u dukur më “modern” se ç’është. Diktatura i njihte njerëzit nga zanati, pa doreza: rrobaqepës, berber, këpucar. I thërrisje me emër dhe e dije çfarë bënte. Demokracia, përveç lirisë, na solli dhe një dhuratë tjetër helmuese – nevojën për t’u fshehur pas një emri të huaj. Dhe kështu Shqipëria u bë i vetmi vend ku edhe “hamalli” ofendohet nëse e quan hamall, sepse i tingëllon provinciale. Jo, ai tani është “logjistik menaxher”. Shikoni sa larg kemi arritur…
Galeria e maskave të reja
Rrobaqepësi u bë: stilist.
Qyqa! Me një makinë Singer të vitit 1962, por me emër si në Milano.
Berberi u shndërrua në: hair stylist.
-Mbeti qyteti për një palo berber!
Grimieri u bë: make-up artist.
-Hallall. Dikur lyente nusen e lagjes, sot bën “contouring”.
Art grafiku, dikur quhej dizajnator.
-O piktor, çfarë pune bëni ju piktorët, ore?
Lulishtari sot thotë me krenari se ka studiuar për: hortikulturë.
-Korba… Shiste trëndafila te Rruga e Elbasanit, tani është shkencëtar i peizazhit.
Punonjësi i servisit, dikur quhej: xhenerik.
-Xhenerik, xhenerik, poshtë makinës si zhapik.” Sot nuk ndotet më me vaj, ai është “teknik mirëmbajtje”.
Hamalli u kthye në: logjistik menaxher.
-Hamall? Jo, thjesht optimizoj zinxhirin e furnizimit!
Roja tani quhet: security.
-Rroje? Sa profesion fisnik! – Dikur me një copë bukë te dera, sot me kufje në vesh si në filmat amerikanë.
Sekretarja u bë: asistente ekzekutive.
-Bravo motra!
Shitësi i lagjes tani është menaxher ekzekutiv.
-Kush tha që shes qepë e domate? Unë menaxhoj produktet e freskëta!
Pastruesja? Epo, tani quhet: sanitar-operatore.
-Ndriçimi i pllakave është art, jo shërbim pa përvojë!
Kamerieri është bërë: specialist i shërbimit klientor.
-Jo thjesht sjell pjata e gota, por ofroj përvoja gastronomike! – dhe bakshishi mbetet po ai.
Zdrukthëtari është bërë: dizajner interierësh.
-Po, po! Tavolinën tënde e bëra unë, por quhet ‘koncept minimal”
Këpucari tani quhet: restaurues i aksesorëve të lëkurës.
– Një çik lustër e quajmë ‘rigjallërim të identitetit estetik’.”
Edhe pjatalarësi, me pak dashamirësi sot është: dishwasher
-Jo, jo, unë nuk laj pjata, por garantoj ciklin higjenik të enëve
Dhe për ta mbyllur: një kapteri ushtrie sot i mbetet hatri, se sipas tij terminologjia e re i garanton titillin: “junior officer” ose nënoficer i lartë me kompetenca komandimi.
Epilogu
Kështu, nga diktatura në demokraci, ne nuk ndryshuam aq shumë profesionet – ne ndryshuam turpin. E mbuluam punën e ndershme me një fjalë të huaj që të dukemi më të rëndësishëm, më perëndimorë, më “cool”.
Por në fund të ditës, qepja mbetet qepje, brisku mbetet brisk, fshesa mbetet fshesë. Ndryshon vetëm faturimi.
Dhe në këtë sport kombëtar – për ta bërë fjalën më të madhe se punën – jemi kampionë bote. S’na kap dot askush.
