Last Updated on 17/09/2026 by EL
Memorandumi i mësipërm juridik, i shkruar nga Erl Kodra, paraqit një analizë të pavarur të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke vënë në pikëpyetje bazën provuese që u përdor për t’u atribuuar atyre përgjegjësinë përmes Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK).
Sipas analizës, ndërsa Gjykata pranoi se UÇK-ja kishte një objektiv politik e ushtarak për çlirimin e vendit dhe se viktimat e krimeve u përzgjodhën kryesisht mbi baza individuale e personale, ajo përsëri u atribuoi krerëve të UÇK-së një qëllim të përbashkët kriminal. Kodra argumenton se trupi gjykues ka dështuar të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm hallkën që lidh drejtuesit qendrorë me krimet lokale. Duke mbështetur argumentin në precedentët e mëparshëm të ICTY-së (Limaj, Haradinaj dhe Kvočka), analiza thekson se në kushtet e një konflikti ku ushtarët dhe familjet e tyre përballeshin me dhunë masive e masakra nga forcat serbe, motivi i hakmarrjes individuale apo autonomia e strukturave lokale përbëjnë shpjegime të arsyeshme alternative që rrëzojnë pretendimin për një plan kriminal të organizuar e të urdhëruar nga lart.
Analiza e plotë
Teksti i mëposhtëm është një analizë e pavarur juridike pas vendimit të Gjykatës Speciale të Dhomave të Specializuara. Analiza ime mbështetet plotësisht në burime të hapura nga ky proces penal. Unë nuk jam jurist i trajnuar, megjithatë, unë kam përvojë me procese ndërkombëtare, ku kam fituar kundër një shteti të fuqishëm europian, pa avokat dhe pa asnjë mbështetje të asnjë juristi.
Mbi standardin e provës për ndërmarrjen e përbashkët kriminale në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit
I. OBJEKTI I ANALIZËS DHE ÇËSHTJA JURIDIKE QENDRORE
Çështja juridike qendrore është nëse është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndanin një qëllim të përbashkët kriminal dhe se secili prej tyre kontribuoi, me elementin subjektiv të kërkuar, në realizimin e këtij qëllimi.
Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ua atribuoi katër të akuzuarve përgjegjësinë për ndalimin arbitrar të 385 personave, torturimin e 303 personave, trajtimin mizor të 49 personave dhe vrasjen e 96 personave, mbi bazën e konstatimit se ata kontribuuan në një qëllim të përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave të konsideruar kundërshtarë të objektivave politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.[1]
Vlefshmëria e këtij atribuimi varet nga baza provuese mbi të cilën është konstatuar ekzistenca e vetë qëllimit të përbashkët kriminal. Analiza duhet, për këtë arsye, të identifikojë provat që dëshmojnë bashkimin e vullneteve të katër të akuzuarve rreth përdorimit të mjeteve kriminale dhe të përcaktojë nëse këto prova plotësojnë standardin përtej dyshimit të arsyeshëm.
II. ORIGJINA E PROCESIT DHE SFONDI PROCEDURAL
Procesi institucional që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara filloi me pretendimet e paraqitura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty për Këshillin e Evropës. Raporti trajtonte ndalime sekrete, trajtim çnjerëzor, zhdukje dhe pretendime për trafikim organesh.[2] Hetimet e mëvonshme çuan në krijimin e mekanizmit të posaçëm gjyqësor dhe, përfundimisht, në procesin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Paneli i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit dhe fajtorë për katër kategori krimesh lufte. Struktura e përgjegjësisë së tyre u mbështet në konstatimin se ata kishin marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.
III. STANDARDI JURIDIK DHE STATUSI PROCEDURAL I NDËRMARRJES SË PËRBASHKËT KRIMINALE
Më 23 dhjetor 2021, Dhoma e Apelit konstatoi se nocioni i “kryerjes” në nenin 16 të Ligjit për Dhomat e Specializuara përfshinte përgjegjësinë përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe se format themelore të saj njiheshin nga e drejta zakonore ndërkombëtare gjatë periudhës përkatëse.[3]
Ky vendim përcaktoi bazën juridike për përdorimin e kësaj forme përgjegjësie. Ekzistenca faktike e ndërmarrjes, përmbajtja e qëllimit të përbashkët kriminal, pjesëmarrja individuale dhe lidhja me krimet konkrete mbeteshin objekt i provës në gjykim.
Ky dallim u konfirmua proceduralisht edhe nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese më 13 qershor 2022. Kërkesat e Krasniqit dhe Veselit u konsideruan të parakohshme, pasi fajësia dhe çështjet faktike mbi të cilat mbështetej forma e përgjegjësisë ende nuk ishin vendosur.[4]
Standardi material kërkon që të provohet ekzistenca e një qëllimi të përbashkët që përfshin kryerjen e krimeve dhe se i akuzuari e ndante këtë qëllim me elementin subjektiv përkatës. Për rrjedhojë, objektivi politik, struktura organizative, ekzistenca e krimeve dhe qëllimi kriminal përbëjnë kategori të dallueshme të analizës provuese.
IV. KONTEKSTI HISTORIK I KONFLIKTIT
Konflikti i viteve 1998-1999 u zhvillua në kushtet e një pabarazie të thellë ndërmjet një force të armatosur joshtetërore në zhvillim dhe aparatit ushtarak, policor dhe të sigurisë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë.
Dokumentacioni ndërkombëtar dëshmon shkallën e jashtëzakonshme të dhunës ndaj popullsisë shqiptare. Human Rights Watch dokumentoi dëbimin e 862,979 shqiptarëve jashtë Kosovës gjatë vitit 1999, krahas zhvendosjes së disa qindra mijëra të tjerëve brenda territorit. Zonat me lidhje të forta historike me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sidomos Drenica dhe pjesë të Kosovës perëndimore, pësuan masakra, ndalime arbitrare, tortura, shkatërrim sistematik të banesave dhe dëbime masive.[5]
Libri i Kujtesës së Kosovës dokumenton 13,625 persona të vrarë ose të zhdukur në lidhje me konfliktin gjatë periudhës 1998-2000.[6] Burimet ndërkombëtare dokumentojnë gjithashtu dhunë seksuale në shkallë të gjerë, megjithëse numri i saktë i viktimave nuk është përcaktuar përfundimisht.[7]
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi më tej transportimin e trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë dhe fshehjen e tyre në varre të fshehta në Serbi. Qindra trupa u gjetën në Batajnicë, Petrovo Selo dhe pranë liqenit Peruçac.[8]
Ky realitet nuk përbën vetëm sfond historik. Ai është pjesë e kontekstit provues në të cilin duhet të përcaktohet burimi i krimeve të kryera gjatë konfliktit, motivi individual i autorëve dhe marrëdhënia ndërmjet një veprimi lokal dhe një politike të pretenduar të udhëheqjes qendrore.
V. OBJEKTIVI POLITIK DHE USHTARAK I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Objektivi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimi i Kosovës, mbrojtja e popullsisë shqiptare dhe realizimi i vetëvendosjes së saj, i materializuar më pas në synimin për pavarësi.
Paneli, gjatë shpalljes së aktgjykimit, e ndau objektivin e Kosovës së pavarur nga pretendimi për përdorimin e mjeteve kriminale. Ky dallim përcakton edhe objektin e provës. Bashkërendimi i drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për realizimin e objektivit politik dhe ushtarak dëshmon një qëllim të përbashkët politik. Përgjegjësia nëpërmjet ndërmarrjes së përbashkët kriminale kërkon që të provohet më tej vullneti i përbashkët që krimi të shërbente si mjet për realizimin e këtij objektivi.
Veprimtaria konkrete e të akuzuarve zhvillohej në fusha të ndryshme. Hashim Thaçi ishte i angazhuar gjerësisht në veprimtarinë politike dhe diplomatike; Jakup Krasniqi në komunikimin politik dhe publik; Kadri Veseli në strukturën e inteligjencës; Rexhep Selimi në funksione ushtarake dhe organizative. Rëndësia penale e këtyre funksioneve përcaktohet nga prova që i lidh ato me qëllimin kriminal të pretenduar.
VI. REALITETI OPERACIONAL, KOMUNITETET FAMILJARE DHE MOTIVI INDIVIDUAL I HAKMARRJES
Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvillonte një pjesë të madhe të veprimtarisë së saj në zona rurale dhe malore, brenda ose në afërsi të komuniteteve prej të cilave rekrutoheshin luftëtarët e saj. Këto komunitete u goditën drejtpërdrejt nga operacionet e forcave serbe. Në Drenicë, për shembull, sulmi mbi kompleksin familjar të Adem Jasharit përfundoi me vrasjen e pothuaj të gjithë familjes së tij; Human Rights Watch dokumentoi 58 të vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë.[9] Në Gornje Obrinje, forcat serbe vranë 21 anëtarë të familjes Delijaj, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.[10] Në Staro Çikatovë u vranë 23 burra të familjes Morina, ndërsa në Poklek u vranë dhjetëra anëtarë të familjes së zgjeruar Muqolli në një zonë ku kishte prani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.[11]
Këto fakte tregojnë natyrën familjare dhe komunitare të ekspozimit ndaj dhunës në zonat ku rekrutohej dhe vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kur një luftëtar kishte humbur prindër, fëmijë, vëllezër, motra ose anëtarë të tjerë të familjes, ose kur familja e tij kishte pësuar dhunë, dëbim apo shkatërrim të pronës, motivi personal i hakmarrjes përbënte një mundësi konkrete faktike. Për ekzistencën e këtij motivi duhet të bëhet vlerësim individual në çdo episod; rëndësia e tij juridike qëndron në faktin se ai përfaqëson një burim të mundshëm autonom të krimit, të dallueshëm nga një qëllim kriminal i udhëheqjes qendrore.
Ky dallim është vendimtar për atribuimin. Një pjesëtar i një force të armatosur mund të kryejë vrasje, torturë ose keqtrajtim për shkak të një politike të urdhëruar nga lart; i njëjti krim mund të kryhet edhe si hakmarrje personale ndaj një personi të cilin autori e konsideron përgjegjës për arrestimin, vrasjen, përdhunimin ose zhdukjen e një familjari. Në rastin e dytë, motivi dhe burimi vendimmarrës i veprës janë individualë edhe kur autori i përket një organizate ushtarake.
Jurisprudenca në çështjen Limaj i dha rëndësi pikërisht kësaj alternative. Dhoma e Apelit konstatoi se, edhe përballë keqtrajtimeve sistematike në Llapushnik, nuk mund të përjashtohej mundësia që ushtarë ose persona të tjerë të kishin keqtrajtuar ose vrarë të ndaluar për arsye personale, përfshirë hakmarrjen, dhe jo në realizim të një plani të përbashkët.[12]
Në një konflikt ku dhuna ndaj familjeve dhe komuniteteve të luftëtarëve ishte e dokumentuar gjerësisht, ky shpjegim alternativ kërkon shqyrtim të drejtpërdrejtë në çdo episod që përdoret më pas për të ndërtuar ose zgjeruar ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
VII. INTELIGJENCA, DYSHIMI PËR BASHKËPUNIM DHE PËRZGJEDHJA INDIVIDUALE
Konflikti përfshinte një përballje të vazhdueshme të inteligjencës dhe kundërinteligjencës. Në një mjedis ku popullsia civile jetonte brenda zonave të luftimit, dyshimi se një banor lokal bashkëpunonte me policinë, ushtrinë ose shërbimet serbe mund të ndërthurej me konflikte personale, frikë, humbje familjare dhe hakmarrje.
Human Rights Watch dokumentoi si raste të keqtrajtimit dhe rrëmbimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ashtu edhe shkallën e jashtëzakonshme të represionit serb në zonat ku ajo kishte mbështetje.[13] Ky ndërthurim e bën motivin individual një element konkret të analizës faktike.
Vetë Paneli konstatoi se disa arrestime mund të kishin origjinë në konflikte ose ankesa personale dhe se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishin formalizuar më pas ndalimet.[14] Ky konstatim kërkon ndarjen analitike ndërmjet motivit fillestar të personit që ndërmerr arrestimin, vendimit lokal për vazhdimin e ndalimit dhe provës se ky episod realizonte një qëllim kriminal të katër të akuzuarve.
VIII. KOMUNIKATAT DHE KONTEKSTI I LUFTËS INFORMATIVE
Komunikatat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin pjesë e një lufte politike dhe informative që zhvillohej paralelisht me konfliktin ushtarak. Ato shërbenin për mobilizim, ngritje morali, rekrutim, komunikim me popullsinë dhe ndikim mbi kundërshtarin dhe opinionin ndërkombëtar.
Në procesin Haradinaj u administruan dëshmi mbi karakterin propagandistik të komunikatave dhe mbi faktin se ato mund të ekzagjeronin suksesin, kapacitetin dhe shkallën e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.[15] Kjo rrethanë është relevante për peshën provuese që u jepet sot deklaratave të tilla.
Në rastin e Jakup Krasniqit, përfundimi mbi elementin subjektiv kërkon përcaktimin e autorësisë, funksionit konkret të deklaratave, mënyrës së hartimit të tyre dhe lidhjes së identifikueshme me veprat penale përkatëse.
IX. HIERARKIA, DIJENIA DHE ELEMENTI SUBJEKTIV
Pozita hierarkike, disponimi i informacionit dhe pjesëmarrja në një qëllim kriminal përfaqësojnë kategori të ndryshme të analizës penale.
Në rastin e Kadri Veselit, drejtimi i strukturës së inteligjencës është relevant për përcaktimin e informacionit që ai mund të ketë disponuar. Përfundimi mbi pjesëmarrjen në ndërmarrjen e përbashkët kriminale kërkon vlerësimin e marrëdhënies ndërmjet këtij informacioni, sjelljes së tij konkrete dhe qëllimit kriminal të pretenduar.
I njëjti standard zbatohet ndaj funksioneve politike dhe ushtarake të Thaçit, Selimit dhe Krasniqit. Pozita merr rëndësi penale për aq sa lidhet me vendime, udhëzime, miratime, veprime ose sjellje të tjera që provojnë elementin subjektiv.
X. DREJTIMI I PROVËS DHE NDËRTIMI I QËLLIMIT KRIMINAL
Qëllimi i përbashkët kriminal duhet të rezultojë nga analiza e provave konkrete. Struktura e arsyetimit bëhet vendimtare kur të njëjtat rrethana përdoren për të konstatuar ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe më pas për të atribuar krimet konkrete nëpërmjet saj.
Nëse pozitat drejtuese, komunikatat, objektivi politik dhe seria e krimeve lokale përdoren për të formuar përfundimin mbi ekzistencën e qëllimit kriminal të përbashkët, duhet të identifikohet hallka faktike që i lidh këto elemente me një marrëveshje penale. Atribuimi i episodeve konkrete kërkon më tej përcaktimin e raportit ndërmjet secilit episod dhe këtij qëllimi.
Në mungesë të kësaj ndarjeje, modeli i përgjithshëm mund të nxirret nga episodet lokale dhe më pas të përdoret si bazë për atribuimin e po atyre episodeve drejtuesve. Standardi përtej dyshimit të arsyeshëm kërkon një bazë provuese që përcakton në mënyrë të pavarur ekzistencën dhe përmbajtjen e qëllimit kriminal.
XI. SULMI I PËRHAPUR DHE SISTEMATIK DHE PËRZGJEDHJA E INDIVIDUALIZUAR
Paneli konstatoi se aktet e pretenduara përbënin një sulm të përhapur dhe sistematik dhe se ekzistonte një politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve, por se Prokuroria nuk kishte provuar se sulmi ishte i drejtuar kundër një popullsie civile. Sipas Panelit, viktimat ishin përzgjedhur kryesisht, dhe në disa raste ekskluzivisht, mbi konsiderata të individualizuara.[16]
Ky konstatim ka rëndësi të drejtpërdrejtë për atribuimin përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Përzgjedhja individuale e viktimës e bën të domosdoshëm përcaktimin e motivit dhe mekanizmit vendimmarrës në episodin konkret. Motivi personal, hakmarrja, konfliktet lokale ose veprimi autonom përbëjnë shpjegime faktike që duhet të vlerësohen përpara se episodi t’i atribuohet një qëllimi kriminal qendror.
Kjo marrëdhënie është veçanërisht e rëndësishme në dritën e Limaj, ku pikërisht pamundësia për të përjashtuar hakmarrjen personale dhe veprimet autonome pengoi konstatimin e ndërmarrjes kriminale sistemike në Llapushnik.[17]
XII. PRECEDENTËT LIMAJ DHE HARADINAJ DHE TESTI I LLAPUSHNIKUT
Në çështjen Limaj, krimet në Llapushnik u provuan gjyqësisht. Haradin Bala u dënua për torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u shpallën të pafajshëm. Dhoma e Apelit refuzoi pretendimin për një ndërmarrje kriminale sistemike, duke ruajtur si shpjegim të arsyeshëm mundësinë e veprimeve individuale dhe të hakmarrjes personale.[18]
Në çështjen Haradinaj, Tribunali konstatoi se disa viktima mund të ishin përzgjedhur kryesisht për arsye që lidheshin me individët konkretë dhe jo me përkatësinë e tyre në një popullsi civile të shënjestruar.[19] Në rigjykim, Dhoma konstatoi gjithashtu se Prokuroria nuk kishte paraqitur prova të drejtpërdrejta që krimet e provuara ishin kryer në kuadër të ndërmarrjes kriminale të pretenduar; provat mbi këtë çështje ishin rrethanore.[20]
Llapushniku paraqet një test veçanërisht të qartë. Fatmir Limaj vepronte në zonën përkatëse dhe ishte shumë më afër operacionalisht me strukturat lokale dhe autorët konkretë sesa drejtuesit qendrorë. Megjithatë, afërsia, pozita dhe ekzistenca e krimeve nuk prodhuan një përfundim për ndërmarrjen kriminale pa provën e lidhjes së nevojshme.
Atribuimi i të njëjtave episode një ndërmarrjeje të udhëheqjes qendrore kërkon përcaktimin e elementit provues që i lidh ato me qëllimin kriminal të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
XIII. NJË SHEMBULL KRAHASUES: ÇËSHTJA KVOČKA
Çështja Kvočka ofron një shembull të qartë të llojit të provës mbi të cilën është konstatuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale në jurisprudencën ndërkombëtare.
Në kampin e Omarskës ekzistonte një sistem kriminal i organizuar dhe i identifikueshëm. Dhoma e Apelit përcaktoi se forma sistemike e ndërmarrjes kriminale kërkon dijeni personale për sistemin e organizuar dhe qëllimin për ta avancuar atë.[21]
Në rastin konkret, Kvočka punonte brenda kampit, ishte i pranishëm gjatë funksionimit të sistemit të persekutimit, përcillte urdhra, zëvendësonte komandantin, kishte aftësi konkrete për të ndërhyrë dhe vazhdoi të ushtronte funksionet e tij duke qenë i vetëdijshëm për dhunën dhe krimet. Gjykata konstatoi se ai e njihte sistemin, e pranonte atë dhe kontribuonte në funksionimin e tij.[22]
Ky precedent ilustron dallimin ndërmjet provës së një sistemi kriminal dhe inferencës së tij. Ekzistenca e ndërmarrjes u mbështet në një mekanizëm kriminal të identifikueshëm, në dijeninë personale të të akuzuarit dhe në kontributin e tij konkret e të vazhdueshëm në funksionimin e atij mekanizmi.
Krahasimi me procesin aktual duhet, për këtë arsye, të përqendrohet te prova ekuivalente që demonstron marrëveshjen, mekanizmin dhe kontributin konkret në qëllimin kriminal që u atribuohet katër të akuzuarve.
XIV. INFERENCA PENALE DHE TENSIONET E BRENDSHME TË AKTGJYKIMIT
Provat rrethanore mund të mbështesin një konstatim mbi qëllimin kriminal. Fuqia e inferencës varet nga faktet bazë dhe nga mënyra se si ato trajtojnë shpjegimet e tjera të arsyeshme.
Në kontekstin e Kosovës, këto shpjegime përfshijnë autonominë e strukturave lokale, hakmarrjen individuale, konfliktet personale, reagimet ndaj dyshimeve për spiunazh dhe veprime kriminale të personave të veçantë. Shkalla e dokumentuar e dhunës ndaj familjeve dhe komuniteteve shqiptare i jep motivit personal të hakmarrjes një bazë faktike që duhet të vlerësohet në episodet ku rrethanat individuale e mbështesin atë.
Paneli, njëkohësisht, konstaton përzgjedhjen kryesisht të individualizuar të viktimave dhe atribuon një ndërmarrje kriminale që përfshin qindra ndalime, qindra raste torture dhe 96 vrasje. Marrëdhënia ndërmjet këtyre konstatimeve kërkon që prova e qëllimit qendror dhe prova e lidhjes së secilit episod me këtë qëllim të mbeten të dallueshme.
Çështja qendrore e aktgjykimit qëndron në provën e kalimit nga qëllimi politik dhe ushtarak i përbashkët i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës te qëllimi i përbashkët kriminal që Paneli ua atribuoi katër të akuzuarve.
Konteksti historik dëshmon një konflikt të zhvilluar brenda komuniteteve që pësuan dëbime, vrasje, masakra, zhdukje, dhunë seksuale dhe shkatërrim të pronës. Në këtë mjedis, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vinin nga të njëjtat familje dhe komunitete që përjetonin drejtpërdrejt dhunën. Kur rrethanat konkrete tregojnë humbje familjare ose dëmtime të rënda personale, hakmarrja individuale përbën një hipotezë faktike të dallueshme nga realizimi i një politike kriminale qendrore.
Jurisprudenca Limaj i jep këtij dallimi peshë të drejtpërdrejtë juridike: edhe në një kamp ku tortura dhe trajtimi mizor u provuan, mundësia e hakmarrjes personale dhe veprimeve autonome mbeti e mjaftueshme për të penguar konstatimin e një ndërmarrjeje kriminale sistemike. Çështja Haradinaj konfirmon rëndësinë e përzgjedhjes së individualizuar të viktimave dhe vështirësinë e kalimit nga krimet konkrete te një plan i përbashkët kriminal.
Në anën tjetër, Kvočka tregon strukturën provuese të një rasti ku ndërmarrja kriminale u konstatua: një sistem kriminal i identifikueshëm, dijeni personale, pjesëmarrje konkrete dhe kontribut i vazhdueshëm në funksionimin e tij.
Analiza e përgjegjësisë së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kërkon përcaktimin e bazës provuese që kryen të njëjtin funksion juridik. Kjo bazë duhet të dëshmojë marrëveshjen kriminale dhe lidhjen e secilit të akuzuar me të, si dhe marrëdhënien ndërmjet kësaj marrëveshjeje dhe episodeve lokale që u atribuohen.
Kur vetë Paneli konstaton se viktimat u përzgjodhën kryesisht mbi baza individuale, shqyrtimi i motiveve individuale dhe i autonomisë së autorëve bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e standardit përtej dyshimit të arsyeshëm. Vetëm pas këtij shqyrtimi mund të përcaktohet nëse krimi konkret buronte nga një vendim individual ose lokal apo nga qëllimi kriminal i përbashkët që aktgjykimi ia atribuon udhëheqjes qendrore.
__________
FUSNOTA
[1] Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, KSC-BC-2020-06, “Përmbledhje e Aktgjykimit,” 16 shtator 2026.
[2] Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Dick Marty, Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë, Dok. 12462, 7 janar 2011.
[3] Dhomat e Specializuara të Kosovës, Dhoma e Apelit, Vendim mbi ankimet kundër vendimit mbi mocionet që kundërshtonin juridiksionin e Dhomave të Specializuara, KSC-BC-2020-06/IA009/F00030, 23 dhjetor 2021.
[4] Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Vendim mbi kërkesën e Jakup Krasniqit lidhur me ligjshmërinë e akuzimit për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kërkesën e Kadri Veselit, 13 qershor 2022.
[5] Human Rights Watch, Under Orders: War Crimes in Kosovo (New York: Human Rights Watch, 2001), pjesët mbi zhvendosjen dhe zonat me lidhje të forta me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
[6] Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Libri i Kujtesës së Kosovës, baza e të dhënave për humbjet njerëzore 1998-2000.
[7] Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, The Extent of Gender-Based Violence and Its Impact on Women’s Reproductive Health in Kosovo (Prishtinë, 2008).
[8] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Prokurori kundër Vlastimir Đorđević, aktgjykimi dhe dokumentacioni mbi zhvendosjen dhe fshehjen e trupave të viktimave shqiptare.
[9] Human Rights Watch, Humanitarian Law Violations in Kosovo (1998), pjesa mbi Prekazin dhe familjen Jashari.
[10] Human Rights Watch, A Week of Terror in Drenica (1999), pjesa mbi familjen Delijaj në Gornje Obrinje.
[11] Human Rights Watch, “Kosovo Atrocities Recounted in Detail,” 26 korrik 1999, mbi familjet Morina dhe Muqolli.
[12] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Prokurori kundër Fatmir Limajt, Haradin Balës dhe Isak Musliut, IT-03-66-A, Aktgjykim i Apelit, 27 shtator 2007, pjesa mbi hakmarrjen personale dhe mundësinë e veprimeve jashtë planit të përbashkët.
[13] Human Rights Watch, Humanitarian Law Violations in Kosovo (1998), kapitujt mbi shkeljet nga forcat qeveritare dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
[14] Dhomat e Specializuara të Kosovës, Përmbledhje e Aktgjykimit, 16 shtator 2026, pjesa mbi origjinën e disa arrestimeve dhe formalizimin e ndalimeve.
[15] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Prokurori kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, IT-04-84-T, Aktgjykim, 3 prill 2008.
[16] Dhomat e Specializuara të Kosovës, Përmbledhje e Aktgjykimit, 16 shtator 2026, konstatimet mbi sulmin e përhapur dhe sistematik dhe përzgjedhjen kryesisht të individualizuar të viktimave.
[17] Limaj, IT-03-66-A, Aktgjykim i Apelit, 27 shtator 2007.
[18] Ibid.
[19] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, “Haradinaj and Balaj Acquitted of All Charges, Brahimaj Guilty of Cruel Treatment and Torture in Jablanica Compound,” 3 prill 2008.
[20] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Prokurori kundër Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt, Aktgjykim i rigjykimit, 29 nëntor 2012; përmbledhja e Tribunalit mbi provat për ndërmarrjen e pretenduar.
[21] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Prokurori kundër Miroslav Kvočka et al., IT-98-30/1-A, Aktgjykim i Apelit, 28 shkurt 2005, par. 81-84.
[22] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Kvočka et al., Aktgjykim, konstatimet mbi dijeninë e Kvočkës për sistemin e persekutimit, funksionet e tij në kamp dhe kontributin në funksionimin e sistemit.