Last Updated on 17/09/2026 by EL
Klubi i madh rumun, FCSB, ka rikthyer në listën e dëshirave Lindon Emërllahun dhe pritet të bëjë një tjetër përpjekje për transferimin e mesfushorit kosovar gjatë afatit kalimtar të dimrit.
23-vjeçari i Polissya Zhytomyr përputhet me profilin e lojtarit që kërkon pronari i FCSB-së, Gigi Becali, i cili ka bërë të ditur se dëshiron të përforcojë mesfushën e skuadrës në afatin e janarit.
Interesimi i klubit rumun për Emerllahun nuk është i ri. FCSB ishte shumë pranë transferimit të reprezentuesit të Kosovës në fund të vitit të kaluar, por CFR Cluj vendosi ta shesë atë te Polissya Zhytomyr për rreth 1.5 milion euro në janar të vitit 2026.
Kryetari i Bordit të FCSB-së, Stoica, kishte deklaruar disa muaj më parë se ishte i bindur që Emerllahu do të transferohej te skuadra e Bukureshtit. Sipas tij, oferta e klubit ukrainas kishte qenë dukshëm më e lartë dhe kjo kishte ndryshuar rrjedhën e negociatave.
FCSB u përpoq sërish gjatë verës për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Drejtori sportiv Florin Cernat udhëhoqi kontaktet me Polissya Zhytomyr, por qasja e klubit rumun u refuzua kategorikisht.
Megjithatë, FCSB nuk ka hequr dorë dhe tashmë po përgatit një përpjekje të re për Emerllahun. Klubi rumun shpreson që në merkaton e ardhshme të arrijë marrëveshje për transferimin e tij.
Emerllahu iu bashkua Polissya Zhytomyr në janar të këtij viti dhe ka kontratë me klubin ukrainas deri në vitin 2028. Ai është gjithashtu pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Kosovës, për të cilën ka zhvilluar 15 paraqitje dhe ka shënuar dy gola.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e tregut e mesfushorit kosovar llogaritet në 2 milionë euro. /et


