Një konkurrent i ardhur nga mijëra kilometra larg Shqipërisë do të jetë pjesë e sezonit të ri të “Për’puthen”, duke sjellë një histori krejt ndryshe në programin e dashurisë.
Produksioni ka nisur të prezantojë gradualisht personazhet që do t’i bashkohen edicionit të shtatë, i cili nis më 21 shtator. Mes emrave të rinj, vëmendjen e ka tërhequr veçanërisht një djalë me origjinë nga India, që duket se ka ardhur në program me një qëllim shumë të qartë: të gjejë dashurinë në Shqipëri.
“Vij nga India dhe kërkoj të gjej një nuse shqiptare”, është deklarata me të cilën ai është prezantuar nga produksioni.
Për momentin, identiteti i konkurrentit është mbajtur i fshehtë. Në materialet promovuese ai shfaqet vetëm përmes siluetës, duke e lënë historinë e tij për t’u zbuluar më tej gjatë programit.
Prania e një konkurrenti nga India përbën një nga risitë e këtij sezoni, duke zgjeruar edhe më tej profilin e personazheve që do të kërkojnë një lidhje në “Për’puthen”.
Sezoni i shtatë do të vijë me Heidi Bacin në drejtimin e programit, ndërsa Erjola Doçi dhe Drini Zeqo do të jenë pjesë e formatit si opinionistë.
Produksioni ka zgjedhur të zbulojë kastin në mënyrë graduale, duke krijuar kuriozitet për historitë dhe personazhet që do të shfaqen në ekran. Për konkurrentin indian, mbetet për t’u parë se si do të përshtatet me dinamikat e programit dhe nëse kërkimi i tij për një “nuse shqiptare” do të çojë këtë herë drejt një historie dashurie./mxh
