Last Updated on 22/09/2026 by Anisa
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të arrestojë kryeministrin Edi Rama, sapo ky i fundit të kthehet në tokën shqiptare, nga Amerika ku ndodhet prej ditësh.
Deklarata e tij vjen pas operacionit të sotëm të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku nën akuzë janë vënë shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe ish-kryepolici i Shqipërisë, Ilir Proda.
“SPAK ta presë Edi Ramën në aeroport. Zyrtarët e emëruar drejtpërdrejt nga Rama rezultuan të gjithë të kapur nga krimi. Ranë njëri pas tjetrit si efekt domino.
Sot u shemb një tjetër institucion i shtetit shqiptar. Shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror punon për llogari të krimit. U vendos në krye të SHISH me urdhër të kryeministrit, i cili e kishte punësuar si këshilltare për Sigurinë Kombëtare.
Shteti ka rënë dhe nuk garanton siguri kombëtare. Edi Rama është shefi i Vlorës, Agasit, Prodës dhe i çdokujt që ndodhet në qeli apo arrati. Ai mban përgjegjësi shtetërore dhe politike për emërimet e tij”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.
Sipas tij, SPAK duhet “t’i presë kokën organizatës kriminale Rilindje dhe të çlirojë vendin nga bashkëqeverisja e krimit të organizuar me kryeministrin!”/ad
