Nga Leonard Veizi
Ka një paradoks të çuditshëm në historinë e turizmit shqiptar. Sot, në Ditën Botërore të Turizmit që daton me 27 shtatorin, flasim për rekorde, për miliona hyrje-dalje, për Booking e për çmime që fluturojnë në gusht. Por Shqipëria e ka njohur turizmin shumë përpara se të dinte ç’ishte tregu.
E ka njohur në formën më absurde të tij: pa turistë.
Në vitet e diktaturës, regjimi ndërtoi hotele. Kudo. Nuk kishte qytet pa një hotel “Turizmi”. Durrësi kishte Adriatikun, Tirana kishte Dajtin dhe Tiranën, Shkodra kishte Rozafën, e më pas linja e hoteleve “Turizmi” vazhdonin në Korçë, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Elbasan, Peshkopi, etj. Ishin hotele të mëdha, solide, me arkitekturë lindore, me mermer në hyrje, me sallë të madhe ku duhej të bëheshin evente dhe me restorant ku menyja ishte e shkruar me makinë shkrimi.
Ishin hotele për një turizëm që nuk ekzistonte. Dhe më së shumti përdorej nga Kinostudio “Shqipëria e Re” për të realizuar filma.
Sepse turizmi në diktaturë kaloi në dy faza, që janë pasqyrë e vetë izolimit tonë.
Faza e parë: deri në vitet ’60, kur ishim ende “të hapur”.
Në vitet ’50, Shqipëria priste grupe turistësh. Vinin çekë, gjermano-lindorë, polakë, hungarezë. Ishte turizmi i kampit socialist. Vinin me autobuzë, me bileta të organizuara nga agjencitë shtetërore. Bënin plazh në Durrës, vizitonin kalanë në Krujë, fotografonin peisazhin. Ishte një turizëm ideologjik, por ishte turizëm. “Adriatiku” i Durrësit, i hapur në 1957, u ndërtua pikërisht për ta: për të treguar se dhe Shqipëria kishte modernitet.
Faza e dytë: pas vitit ’60 dhe sidomos pas ’78-ës, turizmi me pikatore.
Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, Shqipëria u mbyll. Turistët e huaj u bënë specie e rrezikuar. Vinin vetëm ndonjë gazetar i filtruar, ndonjë mik i partisë nga Vietnami apo ndonjë shqiptar nga diaspora që kalonte në sitë. Hotelet mbetën, por u kthyen në shtëpi pritje për kuadro, për delegacione të rretheve, për dasma. Turizmi u bë i brendshëm dhe i detyruar: bileta e plazhit nga ndërmarrja, 15 ditë në Durrës me listë.
Ishte turizmi pa lirinë për të qenë turist.
Sot jemi në ekstremin tjetër. Demokracia e ktheu turizmin përmbys. Nëse diktatura ndërtonte hotele pa turistë, demokracia solli turistë pa ditur ç’të bënte me hotele.
Në fillim ishte kaotik. Çdo shtëpi u bë hotel. Çdo garazh u bë bar. Çdo plazh u nda me shezlongë. Turizmi nuk ishte më çështje shteti, por mbijetese private. Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi themelor i qasjes:
Diktatura e shihte turizmin si vitrinë propagande. Duhej të tregonte se sa bukur jetohej te ne. Demokracia e pa turizmin si mundësi ekonomike. Duhej të tregonte sa bukur mund të fitohej nga të tjerët.
Të dyja qasjet kanë probleme të mëdha.
Problemi i sotëm nuk është më mungesa e turistëve, por mungesa e idesë se çfarë turizmi duam
Dita Botërore e Turizmit na gjen përsëri me të njëjtën pyetje që kishim në ’57 kur ngritëm Adriatikun: për kë po e ndërtojmë Shqipërinë?
Dallimi është se sot, ndryshe nga atëherë, përgjigjen nuk e jep Byroja Politike. E jep çdo qiramarrës që vendos nëse do ta pastrojë apo jo plazhin para hotelit të tij. E jep çdo bashki që vendos nëse do të lejojë apo jo një pallat 12-katësh mbi rërë. E jep çdo turist shqiptar që zgjedh nëse do ta respektojë vendin e vet si turist.
Nga turizmi me pikatore, kaluam te turizmi me përmbytje. Tani na duhet koha e pjekurisë: turizmi me masë.
