Psikologët prej kohësh theksojnë se ëndrrat mund të pasqyrojnë botën tonë emocionale dhe përvojat e së kaluarës. Gjatë gjumit, truri përpunon emocione dhe përjetime që gjatë ditës mund t’i anashkalojmë. Për këtë arsye, disa ëndrra përsëriten herë pas here, sikur përpiqen të tërheqin vëmendjen tonë.
Të mësojmë t’i “lexojmë” ato mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë veten, gjendjen tonë emocionale, por edhe frikërat që shpesh përpiqemi t’i shmangim. Sipas Oggi.it, ja çfarë mund të fshihet pas tri ëndrrave shumë të zakonshme.
Të biesh në boshllëk
E njeh atë ndjesinë kur në ëndërr bie në boshllëk, pa e ditur se ku apo si do të përfundosh? Kjo ëndërr mund të shfaqet në periudha kur jeta të duket e paqëndrueshme ose e pasigurt.
Mund të jesh në kërkim të një pune, të përballesh me një problem shëndetësor ose të ndjesh se një marrëdhënie e rëndësishme po lëkundet. Rënia në boshllëk mund të lidhet me nevojën për të rikthyer ekuilibrin dhe ndjenjën e sigurisë.
Pas zgjimit, mund të provosh të marrësh disa frymëmarrje të thella dhe të përqendrohesh te prania jote në momentin e tanishëm. Një ushtrim i thjeshtë është të vendosësh këmbët fort në dysheme dhe t’i thuash vetes: “Jam këtu, tani.”
Të jesh i ndjekur
Në ëndërr vrapon për t’u larguar, por shpesh nuk e di as nga kush po ikën. Kjo është një nga skenarët më të zakonshëm të ëndrrave dhe mund të lidhet me stresin dhe ankthin e përditshëm.
Në interpretim, rëndësi nuk ka vetëm ajo që të ndjek, por sidomos mënyra se si ndihesh: frikë, panik, ankth apo pafuqishmëri. Presionet e jetës së përditshme mund të shfaqen në ëndrra në formën e një personi, kafshe apo figure që të ndjek.
Nëse kjo ëndërr përsëritet shpesh, pyet veten: “Nga çfarë po përpiqem të iki në të vërtetë?” Të identifikosh emocionin kryesor dhe ta lidhësh atë me një situatë konkrete në jetën reale mund ta bëjë problemin më të qartë dhe më pak frikësues.
Të flasësh me një person që ka ndërruar jetë
Të shohësh në ëndërr një person që nuk jeton më mund të jetë një përvojë shumë emocionuese ose shqetësuese. Megjithatë, një ëndërr e tillë nuk duhet parë si ogur. Ajo mund të jetë një mënyrë përmes së cilës truri përpunon humbjen, kujtimet dhe një ndarje emocionale që ende mbetet e pranishme.
Në këto ëndrra, mendja krijon një hapësirë ku mund të “rikthehemi” te personi që kemi humbur dhe të përjetojmë sërish një lidhje me të. Sipas psikologëve, ëndrra të tilla mund të jenë pjesë e natyrshme e procesit të zisë dhe të na ndihmojnë ta bëjmë mungesën më të përballueshme.
Ato mund të shfaqen veçanërisht gjatë periudhave të ndryshimit, kur po mbyllim një kapitull të jetës ose po përpiqemi të gjejmë sërish veten.
Nëse të ndodh, mund ta përjetosh me qetësi dhe ta shohësh si një mundësi për të reflektuar mbi kujtimin e atij personi. Mund të shkruash atë që nuk ke arritur t’i thuash, të kujtosh një moment të veçantë ose thjesht ta falënderosh në heshtje për atë që ka përfaqësuar në jetën tënde./mxh
