Last Updated on 28/09/2026 by EL
Kryeqyteti i Estonisë, Talini, është renditur si qyteti më i qetë në Evropë për udhëtarët në vitin 2026, sipas një renditjeje të kompanisë Vape & Go.
Studimi analizoi 66 qytete evropiane, duke marrë parasysh faktorë si hapësirat e gjelbra, zhurma gjatë ditës dhe natës, cilësia e ajrit, mundësia për të lëvizur në këmbë dhe siguria.
Talini mori 92.8 pikë nga 100, ndërsa një nga faktorët kryesorë ishte niveli shumë i ulët i zhurmës gjatë natës.
Vetëm 0.84 për qind e banorëve janë të ekspozuar ndaj zhurmës së trafikut rrugor dhe hekurudhor gjatë natës.
Qyteti njihet gjithashtu për Qytetin e Vjetër mesjetar, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, rrugicat me kalldrëm, kullat historike, parqet dhe bregdetin, duke ofruar mundësi për shëtitje dhe pushim.
Në vendin e dytë u rendit Cyrihu me 88.1 pikë, ndërsa vendi i tretë i takoi Tartus, qytetit të dytë më të madh të Estonisë, me 86.6 pikë.
Në listën e qyteteve të dalluara u përfshinë edhe Ljubljana, e cila kishte përqindjen më të lartë të hapësirave të gjelbra, Tampere në Finlandë për ajrin më të pastër dhe Haga në Holandë për rezultatin më të lartë në siguri.
Në dhjetëshen e parë dominuan qytetet e Evropës Veriore dhe Qendrore.
Lista e renditjes së 10 qyteteve më të qeta në Evropë:
– Talin, Estoni
– Cyrih, Zvicër
– Tartu, Estoni
– Trondheim, Norvegji
– Vilnius, Lituani
– Hagë, Holandë
– Rijeka, Kroaci
– Gjenevë, Zvicër
– Tampere, Finlandë
–Lubjanë, Slloveni. /et
