Në një industri ku mosha e grave shpesh shihet si diçka që duhet fshehur, Monica Bellucci zgjedh të mos luftojë me kohën. Në 62-vjetorin e saj, ikona italiane ka folur hapur për plakjen, ndryshimet fizike dhe bukurinë, duke bërë një deklaratë që tërheq menjëherë vëmendjen: “Ose plakesh dhe e pranon procesin me dinjitet, ose vdes.”
Në një intervistë për Harper’s Bazaar España, Bellucci tha se përballë këtyre dy alternativave, zgjedh pa hezitim të vazhdojë të plaket.
“Duke e parë në këtë mënyrë, unë preferoj të plakem”, u shpreh aktorja, duke e cilësuar moshën si një “dhuratë të mrekullueshme”.
Sipas saj, të rritesh do të thotë të jesh me fat që vazhdon të jesh gjallë dhe ke ende një të ardhme përpara. Por bashkë me vitet vjen edhe një tjetër dhuratë: një këndvështrim i ri për jetën.
“Ndonjëherë, kur rritesh, nuk je më vetëm aktore, por bëhesh spektatore e botës. Kjo të bën ta shohësh gjithçka nga një tjetër perspektivë”, tha Bellucci.
Aktorja pranoi gjithashtu se vitet dhe përvoja kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si ajo i interpreton personazhet. Duke folur për rolin e saj në filmin e ri The Birthday Party, ku luan një piktore italiane që jeton e vetme në një ishull të largët, Bellucci tha se ky është një personazh që nuk do të mund ta sillte në ekran në të njëjtën mënyrë kur ishte më e re.
“Nuk do të mund ta kisha luajtur këtë rol kur isha 30 apo 40 vjeç, as me shtresa grimi për të më plakur”, rrëfeu ajo.
Për Belluccin, për të interpretuar një karakter me kaq shumë peshë emocionale nuk mjafton vetëm talenti. Duhet edhe përvoja e jetës.
“Për t’i dhënë substancë, peshë dhe të vërtetë një personazhi me atë nivel trazirash të brendshme, duhet të kesh jetuar. Duhet të kesh grumbulluar plagë dhe përvojë”, u shpreh aktorja.
Edhe përkufizimi i saj për bukurinë ka ndryshuar me kalimin e viteve. Sot, Bellucci nuk e lidh më bukurinë vetëm me pamjen e jashtme, por me atë që një grua ndërton brenda vetes.
“E rëndësishme është ajo që ndjen brenda. Mendoj se ka të bëjë me të pasurit e një jete të pasur të brendshme, një pasion që të frymëzon, të shohësh fëmijët e tu duke u rritur, të shikosh detin, të kesh miq, një familje që do… një jetë të plotë si grua”, tha ajo.
Aktorja theksoi se me kalimin e viteve edhe gjërat më të zakonshme marrin një kuptim tjetër. Një mëngjes i qetë, shëndeti apo edhe aroma e një filxhani kafeje mund të bëhen arsye për mirënjohje.
“Zgjohesh në mëngjes dhe të qenit e shëndetshme apo të shijosh aromën e kafesë bëhet një arsye për të qenë mirënjohëse. Por këtë e kupton vetëm me kalimin e kohës”, rrëfeu Bellucci.
Ajo foli edhe për ndryshimin e industrisë së filmit ndaj grave në moshë më të madhe. Sipas Belluccit, në të kaluarën ishte shumë më e vështirë për një aktore të vazhdonte një karrierë të rëndësishme pas të 40-ave, ndërsa sot publiku është gjithnjë e më i interesuar për historitë dhe personazhet e grave të pjekura.
Në këtë kontekst, ajo përmendi aktore si Catherine Deneuve, Isabelle Huppert dhe Fanny Ardant, të cilat vazhdojnë të jenë aktive në kinema, kopertina dhe fushata mode.
Monica Bellucci mbetet një prej figurave më ikonike të kinemasë dhe modës italiane, me një karrierë që ka kaluar nga modelingu te filmat ndërkombëtarë. Ajo ka qenë e martuar me aktorin Vincent Cassel, me të cilin ka dy vajza, Deva dhe Léonie.
Në jetën sentimentale, Bellucci ishte në një lidhje me regjisorin Tim Burton, me të cilin u shfaq edhe në filmin Beetlejuice Beetlejuice. Çifti njoftoi ndarjen në vitin 2025, duke deklaruar se vendimi u mor me respekt dhe kujdes të ndërsjellë./mxh
